“Të festojmë titullin kampion”, Temitope mban pezull korçarët: Kam marrë oferta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2023 | 9:56

“Të festojmë titullin kampion”, Temitope mban pezull korçarët: Kam marrë oferta

Skënderbeu ka arritur objektivin minimal dhe kjo erdhi përmes një rikuperimi të frikshëm, ku nga vendi i shtatë u ngjit në të parin. Një meritë të madhe ka edhe sulmuesi kryesor i korçarëve, Abdul Temitope, i cili kryeson listën e golashënuesve me 12 gola. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 28-vjeçari nigerian rrëfen emocionet e këtij sezoni me fanellën bardhekuqe dhe planet që ka për të ardhmen.

temitope

Abdul, në sezonin e parë me Skënderbeun, ia dolët të bëheshit protagonist në realizimin e objektivave të klubit. E prisnit?
Jam ndierë mirë, pasi Skënderbeu ka arritur objektivin që i kishte vendosur vetes, duke plotësuar gjithçka këtë sezon. Gjithashtu, jam shumë i lumtur edhe për performancën time, që u shoqërua me gola dhe paraqitje të mira, gjithmonë në ndihmë të ekipit. Veç objektivave të klubit, edhe unë i kam vendosur vetes synime personale dhe e them me bindje të plotë se jam shumë pranë përmbushjes së tyre.

Çfarë ambienti keni gjetur në Korçë?
Unë ua kam thënë me plot gojën edhe shokëve, që kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, të cilët kanë cilësi dhe talent. Ata kanë sakrifikuar në maksimum për të arritur objektivin e klubit. Në Korçë kam gjetur një ambient fantastik dhe këto plotësojnë njëritjetrin. Tifozët na kanë mbështetur në çdo moment, qoftë në të mirë apo të keq. Falë këtyre komponentëve, kemi arritur të ngjitemi në elitë.

Le të ndalemi në aspektin personal. Kryesoni listën e golashënuesve…
Pa dyshim që jam i lumtur, jo vetëm për golat, por për të gjithë paraqitjen time këtë sezon. Në pjesën e dytë të sezonit unë kam luajtur shumë dhe kam zhvilluar ndeshje mjaft të mira, që dua t’i veçoj. Është pak e sikletshme të flasësh për veten, por kam asistuar dhe shënuar gola me peshë, që kanë ndihmuar ekipin në arritjen e rezultateve. Për këtë jam shumë i kënaqur. Momentalisht po kryesoj renditjen e golashënuesve me 12 gola dhe kjo më bën krenar, por më motivon njëkohësisht që të vijoj edhe në ndeshjet e mbetura të jap më të mirën për të mbajtur kreun e klasifikimit të golashënuesve.

Çfarë prisni nga e ardhmja, për më tepër që Skënderbeu tani është rikthyer në Superiore?
Për momentin mund të them se jam i fokusuar te dy ndeshjet e mbetura të këtij sezoni. Dua që t’i mbyllim me sukses edhe këto dy javë dhe të festojmë titullin kampion në këtë kategori, që është i pari për mua me Skënderbeun. Sa i përket së ardhmes sime në futboll, asnjëherë nuk ka parashikime dhe garanci. Nga njëra anë Superiorja më tundon shumë, pasi e di që është një nivel më i lartë dhe një provë në tërësi për mua. Unë jam në kulmin e karrierës dhe dua që të shijoj emocione të mëdha, ashtu siç i kam ambiciet. Ndaj kam dëshirën që të vijoj të luaj në nivele të larta dhe të shijoj konkurrencën me lojtarë të një niveli superior. Tri vite më parë luaja në futbollin gjysmëprofesionist, ndërsa tani jam gati të shpallem kampion me Skënderbeun. Me besimin te Zoti, gjithçka është e mundur ndaj do të vazhdoj të ëndërroj.

Merkatoja po afron, a kanë filluar kontaktet e para për Temitopen?
Po, kam marrë ofertat e para, por unë preferoj të jem i fokusuar te Skënderbeu dhe te ky sezon që dua ta mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të jap maksimumin tim për shokët e ekipit, stafin teknik dhe drejtuesit e klubit, në mënyrë që të mbyllim gjithçka me sukses.

Skënderbeu është një mundësi për ju që të vazhdoni karrierën?
Gjithçka është e mundshme, pasi në futboll asnjëherë nuk ka garanci se çfarë mund të ndodhë. Unë jam duke e shijuar në maksimum këtë aventurë me Skënderbeun dhe jam shumë i lumtur që mbaj veshur këtë fanellë. Jam duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të mirë të kësaj kategorie në futbollin shqiptar. Gjithçka sa i përket së ardhmes ia kam lënë në dorë menaxherëve, prandaj nuk dua të shpërqendrohem. Jam i bindur se do të bëjnë më të mirën për mua. Dua vetëm të shijoj momentin.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"