Te Egnatia i kanë idetë e qarta, Puja: Me Dinamon nuk patëm fat, i marrim pikë Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2021 | 17:28

Te Egnatia i kanë idetë e qarta, Puja: Me Dinamon nuk patëm fat, i marrim pikë Kukësit

Barazimi i fundit me Dinamon në transfertë nuk është lënë pa diskutuar në kampin rrogozhinas. Duke qenë se kanë pasur një ditë pushimi pas përballjes, dje grupi lojtarëve u është rikthyer seancave të javës së re.

Portieri i Egnatias Puja

Në një deklaratë për “Panorama Sport”, portieri kavajas Bruno Puja, që shfaqi siguri të plotë ndaj bluve kryeqytetas me aftësitë e tij, shprehet se ka bërë vetëm detyrën dhe do të jetë gjithmonë në lartësinë e duhur.

DINAMO – “Zbritëm në fushë për të bërë më të mirën ndaj Dinamos si kundërshtari i radhës. Trajnerët kishin dhënë udhëzimet e tyre që të arrinim diçka në atë përballje. Mbyllja e fazës së parë normalisht që kishte edhe më shumë përqendrim nga ana jonë. Edhe gjatë javës punuam shumë që të kishim saktësi në çdo aspekt. Besoj se zbritëm si të barabartë fillimisht në minutat e para të lojës. Pasi u përshtatëm me terrenin, krijuam rastet tona respektive. Luanim në transfertë, po nuk harruam se edhe ne kishim mundësitë si me këdo kundërshtar. Motivimi ishte i lartë nga të gjithë ne për faktin se duhet të ishim të përqendruar, pse jo, të shënonim që në minutat e para”.

PORTA – “Ritmi në repartet e tjera u rrit shumë dhe unë nga ana ime në portë bëra gjithçka që të isha vendimtar në ato raste që paraqiteshin. Jam ndier komod duke qenë se jo vetëm mbrojtja, por edhe repartet e tjera kanë pasur bashkëpunim dinjitoz. Shënuam një gol të shpejtë me meritë, mund të kishim dyfishuar nëse do të kishim qetësi. E ndonjëherë ajo që mendon edhe nga emocionet realizohet me pak vonesë. Fryma e grupit triumfoi minutë pas minute. Së bashku jemi për një qëllim: ta mbajnë Egnatian në nivele të larta ashtu si duhet. Kundërshtari na barazoi dhe ne kishim shanset tona përsëri, por mendoj se ishim edhe të pafat. Porta ku unë bëj pjesë ishte në çdo moment e gatshme që të shmangeshin golat e tjerë”.

PËRGATITJA – “Stërvitem shumë që siguria të nisë që nga porta për këtë sezon futbollistik. Trajneri im, Ballhysa, e stafi me radhë na udhëzojnë që të jemi të bashkuar drejt rezultateve të mira që na shkojnë për shtat. Terreni me reshje ndikoi pak, por isha i vendosur që në atë përballje të ishim më kërkues. U sigurua vetëm një pikë, po nuk duhet të jemi të kënaqur me aq, pasi mendohet të realizojmë objektivat e vendosur që në fillim. Besoj se jemi në rrugëtimin e duhur dhe kemi sërish vend për të shfaqur vlerat. Kudo luajmë për fitore ashtu si do të bëjmë ndaj Kukësit në transfertë pavarësisht se ku do të luajmë me ta. Javë pas jave ne jemi më të përqendruar që të ngjitemi në renditje siç na takon”.

PREMTIMI – “Premtoj se porta do të japë kontributin e saj në rezultate për të pësuar sa më pak gola. Çdo ditë punoj që të arrij pritshmëritë personale. Gjendem në një ambient ku mbështetja, qoftë edhe nga tifozët, është e madhe. Kam bindjen se fazën e dytë do ta nisim mbarë me një optimizëm që na shoqëron të gjithëve si klub”.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"