Te Dinamo “fërkojnë duart”/ Të rinjtë kërkojnë shpërthimin, klubi bëhet gati që të mbledhë miliona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2022 | 23:00

Te Dinamo “fërkojnë duart”/ Të rinjtë kërkojnë shpërthimin, klubi bëhet gati që të mbledhë miliona

Dinamo nuk po mendon vetëm rikthimin në elitë, por shumë më shumë se kaq. Plani i drejtuesve shkon më larg: të hedhë baza të forta për të ardhmen. Në grupin që ka aktualisht, klubi kryeqytetas i gjen të gjithë brezat e futbollistëve, që nga ata me shumë eksperiencë dhe me trofe në Superiore, deri te talentet e moshës 17-18 vjeç.

dinamo

Janë një grup të rinjsh, gati të shfrytëzojnë shansin për të shpërthyer me fanellën e një prej skuadrave më me emër në futbollin shqiptar. Dinamo është një shkollë shumë e njohur në vendin tonë, por që vitet e fundit ka pasur një vakuum për shkak të problematikave që ky klub kaloi që në momentin që e dëbuan nga kompleksi i vet. Tani është një tjetër histori dhe të rinjtë janë një nga pjesët më të rëndësishme të projektit dinamovit.

PAGESA – Këtij projekti të bluve i shkon për shtat edhe vendimi i fundit i FSHF-së për të mbështetur financiarisht klubet që aktivizojnë lojtarë të rinj të moshës 16-21 vjeç. Kjo risi e FSHF-së i bën drejtuesit e Dinamos të fërkojnë duart, sepse në skuadër kanë jo pak elementë të rinj të talentuar, të cilët pritet të kenë minutazh gjatë sezonit të ri. Janë të paktën 7 lojtarë që bëjnë pjesë në këtë grup. Stafi teknik, me në krye trajnerin Nevil Dede, i ka parë me kujdes këta të rinj gjatë fazës përgatitore dhe ndeshjeve miqësore, ndaj dhe e ka të qartë se çfarë do të bëjë me ta.

SIMONI – Nëse Simon Simoni qëndron te Dinamo, në këtë drejtim është një plus i madh, sepse me siguri do të jetë titullar. Ai është vetëm 18 vjeç. Megjithatë, duhet pritur, sepse portieri ka ende shpresa për të kaluar në një skuadër europiane. Lezhjani luajti titullar me blutë që sezonin e kaluar, kur ishte 17 vjeç.

TË TJERËT – Emra të tjerë lojtarësh të rinj që Dinamo ka aktualisht në përbërje janë mbrojtësit Aurel Marku dhe Alisio Përloshi, mesfushorët Oresti Kasmollari dhe Devid Fejzulla, si dhe sulmuesit Arb Shala dhe Françesko Daija. Mund të ketë edhe ndonjë tjetër në vazhdim.

Secili prej këtyre lojtarëve, në varësi të ecurisë së skuadrës dhe rrethanave të ndeshjeve të caktuara, pritet të luajnë kush më shumë e kush më pak, të paktën si zëvendësues. Dhe kjo do të thotë se në arkën e klubit blu do të shkojnë të ardhurat që do të vijnë nga pagesat e FSHF-së për të rinjtë. Edhe të rinjtë do të kenë shansin të rriten, duke luajtur vazhdimisht me skuadrën e parë, edhe klubi përfiton financiarisht.

DISA NGA TË RINJTË E DINAMOS

SIMON SIMONI Portier, 18 vjeç

AUREL MARKU Mbrojtës, 17 vjeç

ALISIO PËRLOSHI Mbrojtës, 19 vjeç

ORESTI KASMOLLARI Mesfushor, 17 vjeç

DEVID FEJZULLA Mesfushor, 19 vjeç

ARB SHALA Sulmues, 18 vjeç

FRANÇESKO DAIJA Sulmues, 20 vjeç

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"