Te Bylisi nuk njohin pushim, sot miqësore me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 8:30

Te Bylisi nuk njohin pushim, sot miqësore me Apoloninë

Bylisi do të zhvillojë sot në qytetin e Fierit ndeshjen miqësore me Apoloninë. Pjesa e lojtarëve që kanë mbetur në Ballsh duke filluar që nga trajneri Dovedan dhe stafi, do të marrin pushimet për të kaluar mbrëmjen e Vitin e Ri në familjet e tyre dhe të rikthehen në Ballsh në ditët e para të janarit të 2020-ës. Ballshiotët tashmë janë të përqendruar te merkatoja.bylis

Pas përfundimit të 17 javëve të para, klubi vendosi të ndahet me lojtarët që nuk bënë paraqitjen e kërkuar në pjesën e parë të sezonit. Nga Ballshi janë larguar mesfushori Opoku dhe dy sulmuesit, Celis dhe Miçel, ndërsa ende mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë azerbajxhanasi Turabov, që ka kontratë me mallakastriotët deri në fund të sezonit. Ai është i huazuar nga klubi azerbajxhanas, Sabah, te Bylisi. Skuadra e trajnerit Dovedan i mbylli 17 javët e para në vendin e dytë, me një pikë larg Kukësit. Ballshiotët duan të ruajnë ecurinë edhe në pjesën e dytë të garës, duke pasur synime si në kampionat, edhe në Kupën e Shqipërisë.

SYNIMET – Trajneri Dovedan e tha edhe gjatë pjesës së parë të sezonit, se Bylisit i duhen 3-4 përforcime, si dhe të ruhet boshti me titullarët, në mënyrë që grupi të jetë më solid, sidomos në fazën sulmuese. Gjithsesi, nevojiten alternativa. Ndaj edhe presidenca ka menduar që të afrojë lojtarë në çdo rol, duke filluar që me mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin. bylis kukesi

Natyrisht që ballshiotët nuk do të heqin dorë edhe nga strategjia që kanë ndjekur vitet e fundit, me ndonjë lojtar të ri të talentuar, që është duke spikatur në Kategorinë e Parë, apo dhe ndonjë të ri afrikan. Gjithsesi, në Ballsh nuk po nxitohen, pasi edhe merkato e janarit nuk të lë shumë kohë që të bësh eksperimente.

FAZA PËRGATITORE – Me shumë gjasa faza përgatitore dimërore mund të bëhet në kushtet e shtëpisë, por ka edhe opsione që mund të zhvillohet jashtë kufijve, ose në Pogradec. Gjithsesi, fillimisht skuadra do të mblidhet në Ballsh, ndërsa një vit më parë e kreu aty fazën përgatitore dimërore, ashtu si dhe atë në verën e shkuar, duke qenë se kushtet janë shumë të mira.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"