Te Bylisi mbizotëron optimizmi, Dovedan: Kemi marrë masat që të jemi më mirë se Luftëtari, pres fitoren nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2019 | 8:59

Te Bylisi mbizotëron optimizmi, Dovedan: Kemi marrë masat që të jemi më mirë se Luftëtari, pres fitoren nga ekipi

Bylisi synon që të mos ndalet as në Gjirokastër. Me një mungesë të vetme të Ditmar Bicajt në formacion, ballshiotët e Veljko Dovedanit me merkaton aktive të presidentit Besnik Kapllanaj e kanë organikën e plotë. Trajneri Dovedan është më optimist se kurrë, ndërsa ka besim se skuadra që ai drejton do të dijë të shfaqet edhe në Gjirokastër me mentalitet fituesi. Në intervistën e dhënë në prag të transfertës gjirokastrite, trajneri i Bylisit ka folur për ndeshjen e radhës dhe situatën në ekip.veljko dovedan

Profesor, pas dy javëve pushim, vjen ndeshja në Gjirokastër… Ju ka favorizuar ndërprerja?

Kemi punuar mirë dhe jemi munduar që të riparojmë ndonjë defekt që kemi vënë re gjatë rrugës. Sigurisht, që javët kalojnë dhe skuadra harmonizohet. Mendoj se ne e kemi kaluar këtë periudhë dhe presim rezultatet e punës.

Si e shihni takimin në Gjirokastër?

Të gjitha ekipet janë të forta. Ne bëjmë punën tonë, punojmë gjatë javës dhe në fushë duam më të mirën. Luftëtarin e vlerësojmë, e di që është një ekip me traditë që në javët e fundit ka bërë mirë. I kemi marrë të gjitha masat që ne të jemi më mirë se ata në fushën e lojës.

Konkretisht, çfarë do të kërkoni?

Më të mirën dhe nëse ne duam që të vijojmë të jemi në krye të renditjes, duhet që të fitojmë në Gjirokastër, duke luajtur mirë dhe duke bërë atë që kemi bërë edhe në ndeshjet e tjera.

Si është situata në skuadër?

Ne kemi zhvilluar dy miqësore. Kemi punuar, lojtarët kanë dëshirë dhe impenjohen në çdo seancë. Këtë pres ta shoh edhe sot në Gjirokastër.

Do të vazhdojë Bylisi të komandojë Superioren edhe pas Gjirokastrës?!

Ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje, kjo është detyra jonë. Po fituam ne jemi sërish në krye, por gara është e gjatë, ka shumë ndeshje. Objektiv për mua dhe djemtë apo dhe klubin është që të marrim më të mirën në çdo ndeshje radhe.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"