Të bindur për vendin e dytë, Canka dhe Mezini i bëjnë presion Pogradecit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2020 | 23:37

Të bindur për vendin e dytë, Canka dhe Mezini i bëjnë presion Pogradecit

Ishte një fitore e pritshme ajo që Lushnja arriti jav ën e fundit ndaj Besës pa objektiva. Fitorja 3-5 e verdhejeshilëve u shoqërua me ndalesën e Pogradecit në Fier, kështu që lushnjarët rimorën vendin e dytë në tabelë dhe tashmë do të jetë ndeshja e fundit e kampionatit në stadiumin e Pogradecit që do të vendosë për vendin e dytë në Grupin B.

canka

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla ka avantazhin se luan për dy rezultate, fitoren dhe barazimin, për të provuar më pas Superioren me anë të ndeshjeve shtesë. Te verdhejeshilët vijon të shfaqë një formë të mirë dyshja sulmuese Canka-Mezini. Canka ka vendosur një rekord absolut ndaj Besës, me 3 gola në 7 minuta. Tashmë kjo dyshe ka realizuar 23 gola, ku 14 gola i përkasin Cankës dhe 9 gola Mezinit. Dy protagonistët e sulmit të Lushnjës flasin në prag të ndeshjes vendimtare me Pogradecin.

CANKA – Kapiteni Mikel Canka thekson se Lushnja ka shanse të mëdha për të shkuar në ndeshjet shtesë, ku së pari e pret Besëlidhja e më pas me shumë mundësi Vllaznia. “Bollëku i golave duhet të vinte që në pjesën e parë të ndeshjes me Besën, por nuk po ambientoheshim dot me fushën. E kishim paksa të vështirë dhe kemi humbur shumë raste para portës. Në pjesën e dytë u treguam më të saktë dhe finalizuam me sukses.

Me Mezinin kemi gjetur gjuhën e përbashkët, ai është një lojtar që e ndihmon shumë ekipin në fazën sulmuese. E ka treguar me paraqitjet e tij. Lushnja mendoj se i ka të gjitha mundësitë për ta mbyllur në vend të dytë, sepse luan për dy rezultate këtë fundjavë.

Shansi që kemi duhet ngulitur në kokë dhe kjo besoj se do të na ndihmojë të shprehemi si duhet në fushë e jo thjesht të shprehemi me fjalë. Mendoj që kemi një ndeshje të vështirë. Do të ketë luftë të fortë sportive nga të dy ekipet për të kapur vendin e dytë. Shpresojmë t’ia dalim me sukses”, tha kapiteni Canka për “Panorama Sport”.

MEZINI – Ndërsa sulmuesi Mezini, i cili ka qenë pjesë e Pogradecit në sezonin 2016-2017, u shpreh se Lushnjës i duhet maksimumi për të kaluar Pogradecin.

Mezini

“Kemi ndeshjen e fundit me Pogradecin dhe jemi të fokusuar vetëm te ky 90- minutësh për të marrë rezultat pozitiv. Nuk mund të parashikoj asgjë, por di të them se na duhet të japim maksimumin tonë që Lushnja të mbajë vendin e dytë. Është një ndeshje e vështirë, sepse luajmë në transfertë. Pogradeci gjithnjë ka pretenduar dhe mbetet një skuadër shumë e fortë”, u shpreh Mezini. Tri herë janë ndeshur Lushnja dhe Pogradeci këtë sezon, ku lushnjarët kanë marrë një fitore dhe kanë pësuar dy humbje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"