Te Besëlidhja nuk e mendojnë rënien, Cimesha: Largohemi nga zona e kuqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 23:21

Te Besëlidhja nuk e mendojnë rënien, Cimesha: Largohemi nga zona e kuqe

Besëlidhja ka arkivuar humbjen me Bylisin dhe është përqendruar te Turbina. Cërrikasit i presin në Lezhë, ndaj gabimet janë zyrtarisht të ndaluara. Nëse duan që të shpëtojnë sezonin, minimalisht nuk duhen diskutuar ndeshjet në shtëpi dhe përballë rivalëve direktë.

cimesha

Milutin Cimesha paralajmëron kthesën. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi serb mendon se skuadra nga e shtuna do të dijë të tregojë veten. “Fazën e dytë e nisëm me humbje, e cila na zbriti një shkallë më poshtë. Përballë kishim kryesuesit dhe përtej rezultatit që nuk na favorizoi, treguam cilësi në fushë. Mund edhe të barazonim, pasi raste patëm. Gjithçka e ndau fati, pasi vendasit fituan me një gol që në fillim.

Tani e kemi të qartë rregulloren e këtij kampionati, ndaj pozicioni ku ndodhemi është mjaft i rrezikshëm për mbijetesë në këtë kategori. Por, nga ana tjetër, duke parë sasitë e pikëve që kanë grumbulluar ekipet pararendëse dhe ndeshjet që kemi në dispozicion na bëjnë optimistë, pasi shumë shpejt mund të dalim nga zona e kuqe. Tani po mendojmë për sfidën e radhës që do ta luajmë në shtëpi këtë fundjavë. Ky ekip mundësitë i ka për të fituar dhe jam i bindur se do ta mposhtë Turbinës”, përfundoi 21-vjeçari.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"