Te Besëlidhja motivohen me Partizanin, Plori: Do ta përmbysim Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2019 | 12:52

Te Besëlidhja motivohen me Partizanin, Plori: Do ta përmbysim Korabin

Besëlidhja kërkon përmbysjen përballë Korabit. Nëse dy javë më parë u mundën 2-1 në Peshkopi, sot të besuarit e Elvis Plorit luajnë me misionin e qartë për të kthyer rezultatin në favor të tyre dhe rrjedhimisht kualifikimin për në turin e dytë.

beselidhja

Lezhjanët kanë pretendime serioze në Kupën e Shqipërisë, ndaj nuk do lejojnë që kjo mundësi t’u ikë nga duart dhe fakti që do i presin dibranët në shtëpi, u jep më shumë shpresë. Në Lezhë janë më shumë se të mobilizuar, që nga drejtuesit e deri te futbollisti më i fundit i stolit. Ëndrra është që të vihen përballë Partizanit, pasi shorti i rezervon përballje pikërisht me këtë ekip në raundin pasardhës të dytë.

Besëlidhja po luan sezonin e 12-të radhazi në Kategorinë e Parë, e megjithatë në kompeticionin e Kupës ka dëshmuar se ka histori suksesi. Mjafton të kujtojmë atë që arritën dy vite më parë, kur ekipi drejtohej nga trajneri Alban Bruka. Asokohe eliminuan “demat” në turin e dytë dhe më pas likuiduan edhe në çerekfinale Flamurtarin, duke prekur gjysmëfinalen. Pikërisht në këtë fazë u ndalën edhe prej Tiranës, duke i dhënë fund atij rrugëtimi.

elvis plori

TRAJNERI – Ashtu si të gjithë në klub, edhe trajneri Elvis Plori është më i mobilizuar se kurrë për aktin e dytë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Ai është i vendosur për të luftuar për fitore përballë dibranëve, pasi kërkon që t’i masë forcat me kampionët në fuqi të vendit. Një gjë të tillë e tha edhe gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”.

“Duke lënë pas ndeshjet e zhvilluara të kampionatit, tani jemi të përqendruar totalisht te sfida e nesërme (sotme) ndaj Korabit, që do të zhvillohet këtu në Lezhë në kuadër të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshjen e parë të zhvilluar në Peshkopi e humbëm me shifrat 2-1, një rezultat që nuk duhej të ishte i tillë, gjithsesi ky është realiteti. Ndaj nuk na mbetet tjetër veçse të luftojmë dhe të përmbysim gjithçka në favorin tonë.

Gjatë këtyre dy ditëve që kemi pasur në dispozicion për t’u stërvitur, jam munduar të punoj fort më shumë në drejtim të meremetimit të gabimeve që na kanë ndëshkuar. Normalisht që ne do të luftojmë për fitore dhe shpresoj se do ia dalim me sukses, kjo do të ishte një fitore e dyfishtë. Siç dihet, në turin e dytë do të na jepej mundësia që të përballemi me Partizanin, po ashtu dhe në aspektin psikologjik do të harronim negativitetin e të shkuarës.

Ekipin pothuajse e kam të plotë, do mundohem që të bëj më të mirën e mundshme, që në formatimin e 11-shes e deri në mbylljen e 90-minutëshit të sfidës. Ne do të zhvillojmë lojën tonë në funksion të stilit të kundërshtarit, do të mundohemi me të gjitha mundësitë për të eliminuar gabimet, rezultati do të dalë nga mirëmenaxhimi situatës në arenën e blertë. Kërkesa ime e përjavshme për tifozët vazhdon, ndaj pres që të na mbështesin sa më shumë dhe me dinjitet nga shkallët e stadiumit”, përfundoi numri një i pankinës së Besëlidhjes, Elvis Plori.

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"