Te Besëlidhja ka optimizëm, Radovani: U kthyem në “shina”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2021 | 11:47

Te Besëlidhja ka optimizëm, Radovani: U kthyem në “shina”

Besëlidhja po e shfrytëzon pushimin në funksion të dy takimeve të javës së ardhshme. Të mërkurën luajnë në transfertë me Partizanin për llogari të Kupës dhe në fundjavë presin Shkumbinin në shtëpi për kampionat.

BESELIDHJA PARTIZANI

Skuadra është kthyer në “shina”, por tashmë kërkohet vazhdimësi. Këtë mendon edhe sulmuesi Angjelo Radovani, që shënoi gol kundër Vorës. Ai beson se skuadra do t’ia dalë, madje paralajmëron edhe surprizën përballë “demave”.

“Erdha në verë te Besëlidhja, por këta 3 muaj këtu jam bërë njësh me ekipin. Nisja jo e mirë e kampionatit na dërrmoi psikologjikisht. E megjithatë, e mblodhëm veten dhe ja u kthyem. Jam i lumtur që gjeta edhe golin kundër Vorës, pasi aty nisi ngritja jonë. Fitorja e madhe në Fier pastaj ishte ajo që na dha qetësinë. Tani Besëlidhja ka nisur rrugën e ngjitjes dhe nuk mund ta ndalë askush, për këtë jam i sigurt.

Po punojmë për javën e ardhshme, kur do të luajmë dy sfida. Të mërkurën do udhëtojmë në kryeqytet për të sfiduar Partizanin për Kupë dhe pse të mos shkruajmë historinë… Në Lezhë pësuam një penallti të dyshimtë që në nisje të sfidës, që na solli humbjen. Kemi arsye të forta të pretendojmë. Fundjava kthen kampionatin dhe me Shkumbinin do kërkojmë trepikëshin e radhës. Pushimi po na ndihmon për të marrë energji pozitive. Nuk do ta diskutojmë mbijetesën, pretendimet tona tani janë të tjera”, tha sulmuesi 20-vjeçar për “Panorama Sport”.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"