Te Besëlidhja ka ende shpresa, Danaj: Situatë shqetësuese, jo dramatike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 20:01

Te Besëlidhja ka ende shpresa, Danaj: Situatë shqetësuese, jo dramatike

Besëlidhja “fikson” titullarët. Me një ndeshje kontrolli brenda familjes, Alban Bruka ka përcaktuar formacionin me të cilin do tentojë kthesën e madhe. Luajnë me Vorën dhe synimi mbetet vetëm një: fitorja e parë.

Turbina Beselidhja

Në gjashtë javët e para të këtij sezoni, lezhjanët kanë marrë vetëm 1 pikë, gjë që i ka detyruar të “notojnë” në zonën e rrezikut. Sulmuesi Ruben Danaj e konsideron shumë të vështirë situatën, por jo dramatike. Ai beson se do të mund të sigurojnë pikët matematikore që do t’u mundësojnë mbijetesën.

Për “Panorama Sport”, lezhjani thotë: “Sot Besëlidhja gjendet në pozitën më të ulët në historinë e saj të 14 sezoneve të fundit që militon në Kategorinë e Parë. Të marrësh vetëm 1 pikë në gjashtë ndeshje, konsiderohet situatë shumë e vështirë. Por unë dua ta shoh ndryshe. Dramatike nuk mund ta quajmë, pasi nuk kemi konsumuar as 1/4 e pikëve matematikore.

Kam shumë besim se do të kthehemi dhe sigurojmë mbijetesën, ndonëse rregullorja na penalizon shumë. Ne e nisëm me entuziazëm sezonin dhe me pretendimin për t’u ngjitur më lart, por ai objektiv tashmë është sfumuar dhe duhet të luftojmë fort për të shpëtuar direkt. Në fundjavë do të presim Vorën në shtëpi, një sfidë që kam shumë shpresë se do ta fitojmë. Fitorja ndaj Vorës për ne është detyrim, ajo do të jetë autokritika dhe analiza më e besueshme, ndaj na duhet që të japim maksimumin në fushë dhe të vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin”.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"