Te Besëlidhja ka ende optimizëm, kapiteni Fetaj: Situata duket e zymtë, por nuk dorëzohemi kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2021 | 15:23

Te Besëlidhja ka ende optimizëm, kapiteni Fetaj: Situata duket e zymtë, por nuk dorëzohemi kurrë

Te Besëlidhja nuk ka kohë për relaks. Vendi i fundit ka mobilizuar gjithkënd në ekip dhe stërvitja po vazhdon me intensitet të lartë. Edhe pse gara rinis me Kupën e Shqipërisë, vëmendja është sigurisht në kampionat.

Patrik Fetaj

Në katër javë të luajtura, lezhjanët kanë grumbulluar vetëm një pikë. Ndonëse e nisën me pretendime të mëdha sezonin, objektivat janë komplikuar ndjeshëm.

Kapiteni Patrik Fetaj është i shqetësuar për renditjen, ndaj kërkon reagim urgjent. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi evidenton se duhet të reagojnë një orë e më parë, pasi rezultatet nuk i përgjigjen lojës që kanë zhvilluar në 360 minuta lojë. “Pozicioni që mbajmë momentalisht në tabelë duhet të na shqetësojë. Megjithatë, dramë nuk duhet bërë. Janë luajtur vetëm 4 javë nga ky kampionat dhe shanset për të rikuperuar janë të mëdha. Por, fillimisht duhet të gjejmë kthesën.

Këtë fundjavë e kemi pushim dhe po e shfrytëzojmë për të fituar energjitë dhe riparuar defektet. Në mesjavë luajmë Kupën dhe më pas rinis kampionati. Edhe pse situata momentale duket e zymtë, ne do të luftojmë në të dyja frontet për fitore. Skuadra i ka mundësitë, veç kërkohet impenjim maksimal nga ne të gjithë. Pozicioni që mbajmë në tabelë nuk i përgjigjet formës së ekipit. Gjithçka ka ardhur si rezultat i mungesës së vlerësimit, por ndoshta edhe fati. Kam besim se jo vetëm që do të mbijetojmë, por nuk do të heqim dorë edhe nga pretendimi për dy vendet e para në tabelë”, përfundoi lezhjani.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"