Te Besëlidhja harrojnë startin zhgënjyes, Danaj: Me Korabin nis sezoni ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2021 | 16:37

Te Besëlidhja harrojnë startin zhgënjyes, Danaj: Me Korabin nis sezoni ynë

Besëlidhja mori pikën e parë pas dy humbjeve radhazi. Mund të quhet një lloj kthese, ndonëse fitorja këtë herë ishte domosdoshmëri. Alban Bruka këtë herë në analizë ishte më i qetë, por kritikat nuk i evitoi.

Turbina Beselidhja

Ruben Danaj bëri sa mundi në këtë takim, duke shënuar edhe një gol të shpejtë. E megjithatë, ai u zhvlerësua pas rreth një gjysmë ore nga Pogradeci. Për “Panorama Sport” sulmuesi lezhjan tha:

“Duke qenë se dy javët e para të kampionatit i mbyllëm pa pikë, me Pogradecin llogarisnim vetëm fitoren. Gjatë gjithë javës stërvitore punuam me përkushtim, për të marrë ngarkesat e plota. Ndeshja nisi sipas parashikimeve. Kontrolluam lojën dhe kjo bëri që t’i zhbllokonim shpejt shifrat. U lumturova pasi e çova atë top në rrjetë, pasi arrita që të konkretizoja me sukses aksionin dhe mundin e shokëve dhe stafit teknik.

Megjithatë, nuk ishte e thënë që të festonim në fund. Meritonim të fitonim përballë Pogradecit, madje pjesën e parë e mbyllëm edhe me një tjetër rrjetë. Shënova po unë, por na e mohuan për pozicion jashtë loje. Nuk u dorëzuam dhe nga pushimi u kthyem të mobilizuar dhe shtuam agresivitetin në sulm, çka na riktheu në avantazh. Ne krijuam shumë raste shënimi, por nuk qe e thënë që ta finalizonim ndonjërin dhe kjo vetëm prej fatit e jo nga gabimet tona.

Pogradeci na barazoi me goditje standarde. Duke lënë pas gjithçka që ka kaluar, tani jemi të përqendruar te transferta e radhës në Peshkopi ndaj Korabit pasi duam që të futemi në rrjedhën e kampionatit me fitore”, përfundoi sulmuesi lezhjan.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"