Te Besa ka dyndje menaxherësh, Bizhdili vendos “veton”: Afrimet e radhës, pas…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2019 | 14:41

Te Besa ka dyndje menaxherësh, Bizhdili vendos “veton”: Afrimet e radhës, pas…

Ky sezon që u mbyll duket se do t’u japë fund zhgënjimeve të Besës. Presidenti Nexhat Bizhdili shpalosi ditë më parë platformën për ndërtimin e një ekipi pretendent. E megjithatë, presidenca dhe stafi teknik duket se nuk duan të nguten. Ndaj në këto ditë të nxehta politike kanë preferuar që “votat” për emra të veçantë t’i japin pas 1 korrikut.

Bizhdili

Këtë fakt e pohon vetë kreu i klubit për “Panorama Sport”, i cili i pyetur mbi vijimësinë e merkatos deklaron se do të mendohen mirë përpara se të vendosin për çdo lojtar që do t’u bashkohet verdhezinjve. “Magani më ka kërkuar që maksimumi me 20 korrik grupi të jetë plotësuar. Për këtë arsye nuk duam të ngutemi. Nuk është sekret t’jut hem se këto ditë kam pasur dhjetëra telefonata menaxherësh, trajnerësh e futbollistësh, që kërkojnë të afroj ‘X’ apo ‘Y’ futbollist. Besa është një klub me histori e fanellë të rëndë, ndaj shumë lojtarë dëshirojnë të vijnë në Kavajë. Krahas fanellës, lojtarët sot kërkojnë edhe kushte jetese e akomodimin dhe Besa mbetet ekipi që i ka trajtuar futbollistët vërtet në kushte turistike akomodimi dhe pagesa të rregullta. Prandaj, pas datës 1 korrik, unë dhe stafi do të ‘votojmë’ për emrat e rinj e do t’i bëj publik. Për momentin, si të gjithë jemi nën presionin e vapës dhe fundjava kuptohet që i kushtohet familjes e plazhit”, ka përfunduar Bizhdili.

Bizhdili

KUSHTI 

Kuptohet qartë se presidenti dhe trajneri nuk dëshirojnë të dështojnë këtë herë në merkato, gjë e cila ka ndodhur këto 5 vite me mjaft futbollistë. Në vitin e 6-të të qëndrimit në Kategorinë e Parë, duket se klubit në kompleks dhe mbi të gjitha tifozëve u ka sosur durimi. Ndaj, vetëm rikthimi në elitë do t’i qetësonte të gjithë. E megjithatë, ndërtimi i një grupi cilësor nuk do të mjaftonte. Vetë kushti i vendosur nga Gugash Magani flet shumë për arritjen e objektivave. Ai pret ndërhyrjen në infrastrukturë dhe nëse askush nuk hedh asnjë hap për të ndryshuar pamjen e stadiumit “Besa”, edhe vazhdimësia e peqinasit nuk do të jetë fort e sigurt në Kavajë.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"