“Të bëjë ‘WC’-të për tifozët, pastaj të merret me ne”, reagon Goga: Gorea pa moral, FSHB nuk duhet ta tolerojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2021 | 15:44

“Të bëjë ‘WC’-të për tifozët, pastaj të merret me ne”, reagon Goga: Gorea pa moral, FSHB nuk duhet ta tolerojë

 

Vitet e fundit Durrësi është kthyer në epiqendrën e basketbollit shqiptar, me një rivalitet të zjarrtë mes skuadrave bregdetare Goga Basket dhe Teuta. Por, përveç rivalitetit në fushë, kanë qenë të shumta edhe përplasjet jashtë parketit me akuza dhe të ndërsjella ndërmjet drejtuesve të skuadrave përkatëse. Me anë të një deklarate për “Panorama Sport”, Akademia Goga Basket i përgjigjet kreut të Teutës, Arqile Gorea, për sulmet që ky i fundit ka bërë ndaj federatës, gjyqtarëve dhe për ironinë e përdorur ndaj ambienteve sportive të akademisë Goga Basket. Gjithashtu, drejtuesit e Gogës u rikujtojnë rivalëve edhe një herë çështjen “Eric Copes”, për të cilën palët kanë përfunduar deri në gjykatë.

Basket-Goga-e1591258152923

DEKLARATA – “Akademia Goga dënon me përçmim presidentin e vetëshpallur të ekipit të basketbollit të Bashkisë Durrës për shkrimin denigrues për FSHBnë, në të cilin na përfshin dhe ne me shpifjet e tij të ulëta. Ky person ironizon fshatin Fllakë dhe akademinë tonë që ndodhet 7 km nga Durrësi dhe ekzaltohet sa herë e përmend, sepse i pëlqen të na etiketojë si katundarë. I themi këtij personazhi që nëse ka këllqe le të bëjë dhe ai një si kjo që kemi ndërtuar ne. Le ta bëjë në Durrës, Divjakë apo Gorre të Lushnjës e pastaj të merret me ne. Ne i themi këtij personi: Mos i bjer vërdallë pallatit të sportit ‘Ramazan Njala’ në Durrës që ta marrësh se s’të takon asnjë qindarkë nga qyteti jonë. Ti je firmëtar i prishjes së ambienteve sportive, s’ke moral të kërkosh asnjë aset sportiv në qytet. Mos u merr me shkëlqimin e pallatit tonë të sportit që mban emrin e profesor Dhimitraqit, sepse të verbon. Më mirë shko dhe bli 30 kg bojë e lyej parketin e pallatit që shfrytëzon se latë nam. Shko bëj ‘WC’-të për tifozët se ju mban pallati era urinë. Shko ndërro parketin se e ke me gunga.

Ndërro tavanin që e kë kanceroz, ndriçimin e le pastaj të flasim për furnelat elektrike qesharake që vendos për të ngrohur duart lojtarët. Të paktën rri urtë se s’ke moral të hedhesh baltë mbi investimin tonë tashmë të certifikuar dhe ndërkombëtarisht. Ti ke dy vjet që akuzon për grabitje lojtaresh (Eric Cobes etj.) që të zbehësh titullin kampion që fituam dhe të ulësh imazhin e akademisë sonë. Por s’të vëmë faj për këtë, sepse vjen nga politika, aty ku fjala grabitje është kryefjalë. Lojtarët shiten e blihen në sport në kohë sezoni dhe kjo praktikë nuk quhet grabitje. Mësoje këtë se u bë kohë që je në treg mediatik sportiv, që e ke kaq qejf e zë radhën për të dalë. Por, ne të fajësojmë se ke falsifikuar një dokument ligjor siç është kontrata. Por, ja që drejtësia ka nisur të funksionojë dhe Eric Cobes e akademia jonë fituan gjyqin ndaj akuzës sate për grabitje lojtari e dëmshpërblim 30.000 euro. Ti ke bërë aktin më të ulët sportiv në emër të Bashkisë Durrës duke firmosur një kontratë të falsifikuar me një lojtar amerikan, ku nëpërmjet saj kërkove të zhvatësh para si atij dhe akademisë sonë. Tashmë kjo kontratë është provuar nga ekspertët e gjykatës që është deformuar. Tani paguaj pas këtij vendimi shpenzimet gjyqësore si humbës që je, siç urdhëron gjykata. Ne do të presim me qetësi vendimin e formës së prerë dhe përgatitu të paguash të gjithë dëmin moral që na ke shkaktuar me broçkullat e tua mediatike. Ne inkurajojmë FSHB-në dhe FIBA-n të marrin masa ndaj këtij fenomeni që ka ndodhur, në mënyrë që raste të tilla të mos ndodhin më pasi është dëmtuar lojtari që s’ka marrë lejen të luajë për 2 vite dhe ne që nuk e aktivizuam dot prej kësaj pengese.

Për sa u përket sulmeve që u ke adresuar arbitrave për trukime, shko provoji. FSHB-ja nuk duhet të lejojë më këtë situatë ku hidhet baltë mbi të dhe mbi ne kontributorët e vërtetë të basketbollit, pasi nëse do të tolerojë, le të vazhdojë bashkëjetesën me ata që e dhunojnë dhe e shantazhojnë, pasi ne në këtë familje nuk qëndrojmë më. Akademia jonë do të kontribuojë në sport me të gjitha mundësitë që ka. Tashmë objektivat janë realizuar. Kampusi sportiv ka përfunduar dhe ne jemi regjistruar në librin e artë të kampionëve të Shqipërisë. Natyrisht këto arritje nuk i gëzojnë të gjithë, disa madje dhe na urrejnë për këtë arritje si instinkt i qenies njerëzore, por neve na mjaftojnë ata, që me dashurinë e mbështetjen e tyre morale e financiare na kanë bërë të lumtur, si ne dhe djemtë e Lokomotivës së Dhimitraqit”, shkruhet në deklaratën e Goga Basket.

ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Skandali në basketboll, presidenti i Teutës akuzon sërish, Gorea: Rrahjet e arbitrave tregojnë manipulime

EKSKLUZIVE/ Skandali në basketboll me arbitrat që përdoren për baste, federata kundër Goreas: Ja e vërteta

EKSKLUZIVE/ Skandal në basketboll, presidenti i Teutës: Federata përdor arbitrat për baste

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"