“Të bëhet ‘play-off’ me ndeshje teke”, trajneri i Partizanit komenton planin e federatës: Propozime joserioze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2020 | 22:46

“Të bëhet ‘play-off’ me ndeshje teke”, trajneri i Partizanit komenton planin e federatës: Propozime joserioze

Pas propozimeve nga Federata Shqiptare e Basketbollit për mundësinë e rifillimit të sezonit, kanë qenë të shumta edhe reagimet nga ana e klubeve. Këtë herë është trajneri i Partizanit, Arben Fagu, ai që jep opinionin e tij rreth kësaj situate. Fagu nuk është aspak dakord me federatën, ndërsa jep një tjetër sugjerim për formulën e ndeshjeve, ndonëse e shikon të vështirë rifillimin. Trajneri gjithashtu komenton edhe idenë e krijimit të një lige të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

arben-fagu

Cili është qëndrimi juaj në lidhje me dy propozimet e federatës për rifillimin e kampionatit?

Mendoj se të dyja propozimet e bëra nga federata nuk janë serioze. Së pari duhet të mbështeten të gjitha se kur do të jetë koha e përshtatshme për të rinisur aktivitetet. Deri tani nuk ka asnjë dritë jeshile për të krijuar hapësirën e nevojshme që sporti të rikthehet në ditët e tij, sepse janë shumë problematika që duhen zgjidhur, duke filluar nga stërvitjet, ambientet.

Më tej federata duhet të zgjidhë edhe problemin me lojtarët e huaj, pasi tri vendet e para në renditje e kanë bazën e skuadrës me të huaj. Kështu që nuk mund të thuash që janë dy mënyra, kur nuk ke asnjë lloj ideje se kur mund të jetë koha e përshtatshme për t’u mbyllur periudha e karantinës dhe kur do të jetë i mundshëm zhvillimi i aktiviteteve.

Gjithashtu nuk duhet të harrojmë që zhvillimi i ndeshjeve në salla të mbyllura ka problematikat e veta, duke filluar që prej kontrolleve për të gjithë lojtarët dhe stafet. Më e bukura është se e drejta e federatës për të marrë vendime tashmë është mbyllur, pasi më 30 mars FSHB-së i ka përfunduar mandati. Federata nuk ka më të drejta që të marrë vendime, këto vendime mund t’i marrin vetëm në mënyrë kolegjiale klubet dhe shoqatat pjesëmarrëse.

Cila është zgjidhja më e mirë sipas jush?

Gjëja e parë kur të flasësh për fillimin e kampionatit është të shikosh se çfarë vendimi merr qeveria. Nëse nuk të krijon asnjë lloj hapësire për të nisur aktivitetet, nuk mundet që t’i organizosh. Këtu flitet që të bëhen ndeshjet një herë në tri ditë dhe kanë mbetur edhe takime për të mbaruar sezoni i rregullt, shto këtu edhe ndeshjet “play off”, që do të thotë se është një periudhë shumë e gjatë.

Sipas mendimit tim, e vetmja mundësi që mund të jetë, duke parë edhe zhvillimin e ngjarjeve, është që fazën “play off” ta zhvillojmë me vetëm një ndeshje dhe të pranohen të gjashtë skuadrat, ndoshta edhe dy ekipet e para të Kategorisë së Parë. Mund të ndiqet skema ku të përballen e para me të fundit dhe kështu me radhë, me ndeshje teke. Megjithatë, ashtu siç kanë bërë shumë federata të Europës, edhe unë e shikoj pak të vështirë fillimin e kampionatit, edhe pse do të doja shumë që të përfundonte.

Çfarë mendoni për idenë e federatës për të krijuar një kampionat të përbashkët Shqipëri-Kosovë?

Është turp dhe një mungesë serioziteti nga këta njerëz. Të tilla mendime dhe vendime janë shumë të rëndësishme, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë dhe për të marrë një vendim të tillë, krahas vendimit të federatave, duhet të merret një vendim edhe nga dy shtetet. Nuk është diçka që duhet diskutuar si një muhabet kafenesh.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"