“Të bëhet kampionat me 18 ekipe”, Moçka i premton besnikëri Flamurtarit: Bashkë dhe në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2020 | 11:30

“Të bëhet kampionat me 18 ekipe”, Moçka i premton besnikëri Flamurtarit: Bashkë dhe në Kategorinë e Parë

Shpëtim Moçka thotë se një kampionat me sa më shumë skuadra do të ishte më efecient. Në një intervistë për “Panorama Sport”, “gardiani” i portës vlonjate thotë se është kohë e pamjaftueshme nëse kampionati rinis në fund të majit. Moçka e shikon të vështirë mbijetesën e Flamurtarit, ndërsa premton se do të qëndrojë në Vlorë edhe në Kategorinë e Parë.
Flamurtari Mocka
Moçka, si po vijoni të mbani formën e duhur?
Unë vijoj që të stërvitem çdo ditë. Jam duke punuar me profesor Luan Birçen, me këto kushte që kemi. Na mungon futbolli i luajtur të gjithëve pa përjashtim. Shpresojmë ta kalojmë sa më parë këtë situatë dhe t’i kthehemi normalitetit. Është një situatë, me të cilën nuk është ndeshur askush më parë, brezi ynë jo e jo, por as brezat e mëparshëm.

Mendoni se ka ardhur koha të ndryshojë skema e kampionatit?
Mendoj se kjo formulë duhet të ishte ndryshuar që më përpara. Unë jam i mendimit që të kemi një kampionat me sa më shumë skuadra. Mendoj se perfekt do të ishte një kampionat me 18 ekipe. Të luhet me dy faza dhe jo me një kampionat me 10 skuadra që i bie të ndeshesh katër herë me një ekip. Ky kampionat aktual nuk ka bukuri. Nëse do të kishte më shumë ekipe, do të bëhej interesant, i bukur dhe i larmishëm. Duhet ndryshuar në mënyrë urgjente, pasi skema aktuale nuk funksionon.
ilir daja1
Trajneri i Skënderbeut, Daja, ka thënë se nuk mund të vazhdohet në këto kushte kur lojtarët kanë dy muaj pa stërvitje. Sipas tij, duhet të nisë kampionati në shtator dhe të shtohet numri i ekipeve. Si ju duket kjo ide?
Po, kam një mendim me profesor Dajën, pasi është një kohë e gjatë dhe futbollistët do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë formën për të vazhduar kampionati normalisht.

FSHF propozon rinisjen e kampionatit më 31 maj. Si e shikoni këtë gjë?
Po, e lexuam në gazetë. Mendoj se është një kohë shumë e shkurtër për t’u përgatitur. Nuk e di se si do rrjedhin gjërat, por për mua është një kohë e pamjaftueshme.
sukaj-flamurtari
Si e shikoni mbijetesën e Flamurtarit?
Të jemi realistë, është e vështirë. Duke parë renditjen, i bie që ne t’i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe kundërshtarët tanë t’i humbasin ato. Ndaj, e shoh të vështirë.

Jeni i gatshëm të qëndroni te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë?
Patjetër që po. Jam i gatshëm të qëndroj te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë. Më dhimbset shumë kjo fanellë me traditë dhe emër të madh dhe dua të jap gjithçka që skuadra të kthehet aty ku e meriton.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"