“Të ardhurat e ndeshjeve të radhës, për të prekurit nga tërmeti”, trajneri i Kategorisë së Parë propozim klubeve shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2019 | 10:31

“Të ardhurat e ndeshjeve të radhës, për të prekurit nga tërmeti”, trajneri i Kategorisë së Parë propozim klubeve shqiptare

Futbollistët e Lushnjës dhe stafi i tyre kanë ndërmarrë një nismë për të mbledhur të ardhura në vlerë monetare, që do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti i së martës. Edhe trajneri Ilir Gjyla këtë herë ka folur për sensibilizimin ndaj fatkeqësisë së fundit, duke e lënë në plan të dytë futbollin e luajtur. Ai bën edhe një propozim për gjithë klubet e të gjitha kategorive në vend.

gjyla

“Vazhdojmë stërvitjen normalisht dhe për ne, me dëmtimet që kemi pasur, na bën mirë ky pushim. Nuk e donim këtë lloj pushimi, në fakt, edhe pse na bën mirë si skuadër. Patjetër, unë bashkë me skuadrën jemi të shokuar nga ajo që ka ndodhur në vendin tonë dhe nëpërmjet gazetës “Panorama Sport” dua të bëj një propozim për sensibilizim. Një propozim për të gjitha skuadrat e futbollit shqiptar të të gjitha kategorive. Dua që të ardhurat e biletave të ndeshjeve të para që do të luhen në vazhdim, të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti, për t’u ardhur në ndihmë sadopak. Shpreh ngushëllimet e mia për familjet që humbën njerëzit e tyre nga tërmeti dhe njëkohësisht uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit. Dhe, siç e thashë, dua të sensibilizoj të gjitha skuadrat, të Superiores, Kategorisë së Parë e të Dytë, çdo presidencë apo bashki, që ndeshjet e para të bëhen për të ndihmuar të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. Ne e kemi jashtë ndeshjen e parë, luajmë në Shënkoll, por do të kthehemi në Lushnjë javën tjetër dhe tifozët që të vijnë në stadium, këtë herë nuk do të vijnë thjesht për të përkrahur skuadrën e tyre. Të ardhurat e biletave që ata do të paguajnë, do t’u shkojnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti”, është shprehur trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"