“Te Apolonia s’më vlerësuan”, Mërgjyshi: Nuk mbahet ekipi vetëm me të rinj, me mua si trajner do ishim në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 15:26

“Te Apolonia s’më vlerësuan”, Mërgjyshi: Nuk mbahet ekipi vetëm me të rinj, me mua si trajner do ishim në…

Artan Mërgjyshi u largua nga Apolonia në fillim të shtatorit dhe tanimë është trajner i lirë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 52-vjeçari i bën një analizë të ecurisë së ekipit që e ngjiti në verë në elitë dhe zbulon se çfarë divergjencash kishte me klubin.

mergjyshi

Jeni trajner i lirë prej nisjes së shtatorit, si po e kalon këtë periudhë Mërgjyshi?

Është një periudhë jo fort e favorshme, sepse jemi në prag të fillimit të sezonit dhe ekipet i kanë formatuar dhe stabilizuar stafet. Gjithsesi, po bëjmë disa ditë pushim pas një sezoni të lodhshëm.

Keni pasur oferta?

Jo, për momentin nuk ka asgjë të re, asgjë konkrete.

Në rolin e një specialisti, si do t’i vlerësonit paraqitjen e Kukësit, Teutës dhe Laçit në Europë?

Nisur nga shorti, nuk është se pritej ndonjë gjë e madhe. Kukësi bëri diçka më mirë dhe në disa momente, mund ta rihapte ndeshjen dhe mund të hynte në lojë, pavarësisht se rezultati në fund ishte i thellë. Teuta e pati shumë të vështirë, sepse Granada vjen nga kampionati spanjoll dhe mes dy skuadrave ka disnivel të ndjeshëm. Më vjen keq për Laçin, sepse ishte shumë afër historisë. Ata bënë maksimumin, bënë atë që duhej gjatë ndeshjes, por në fund duhet edhe pak fat.

Të ndalemi te Laçi, çfarë nuk shkoi që skuadra u eliminua në 3 minuta?

Do të thosha që në ato momente ndikoi shumë lodhja, pavarësisht se skuadra u mundua të rezistonte. Ishin minuta që kundërshtari po sulmonte nga krahët, jo me raste të shumta, por me trysni të madhe dhe Laçi nuk po e mbante dot topin kur e kishte në zotërim dhe iniciativa qe në anën e kundërshtarit.

Le t’i kthehemi edhe një herë aventurës suaj në Fier. U larguat thjesht për mosrespektim kontrate apo pati diçka më tepër?

Nuk do të doja t’i kthehesha më kësaj teme, por, gjithsesi, i qëndroj asaj që kam deklaruar edhe më parë. Kam shumë konsiderata për Apoloninë, ambientin, qytetin, tifozët e lojtarët dhe mendoja se klubi do të më vlerësonte më shumë. Jam deri diku i zhgënjyer, sepse nga klubi nuk u respektua ajo që ishte parashikuar në kontratë. Nëse ata donin këtë, atëherë do të ishte mirë që marrëdhënia jonë të ndërpritej qysh në fund të sezonit. Kjo periudhë e tanishme është penalizuese për trajnerët, pasi hapësirat janë të minimizuara.

A ka pasur ndërhyrje të klubit ndaj jush për formacionin apo drejtimin e skuadrës tek Apolonia?

Kam një periudhë të gjatë në fushën e trajnimit dhe e them me sinqeritet që si Apolonia nuk ka klub tjetër në Shqipëri, sa i përket kësaj pjese. Normal që klubi ka edhe politikat e veta dhe trajneri nuk duhet të jetë në oponencë, por pa e cenuar mbarëvajtjen e skuadrës, lojën, rezultatet. Nuk kam pasur kurrë ndërhyrje, absolutisht.mERGJYSHI

Çfarë nuk shkon tek Apolonia aktualisht?

Një gjë që nuk shkon dhe krijoi divergjencë mes meje dhe klubit, ishte afrimi i të rinjve. Jo se unë nuk e kam mbështetur këtë politikë, madje kam qenë promotor. Ama jo çdo gjë duhet të bazohet te lojtarët e rinj. Klubi harronte që skuadrës i duheshin lojtarë me eksperiencë në elitë dhe kërkonte rezultate maksimale. Një problem tjetër është edhe mbingarkesa e trajnerit. E emërojnë kryetrajner dhe e ngarkojnë që të merret edhe me ekipet e moshave, madje edhe me ekipin e femrave. Kjo gjë është e tepërt dhe krijon shpërqendrim në punë.

Nëse nuk do të iknit nga Apolonia, gjer ku mund të shkonit me këtë organikë dhe me përforcimet e gjertanishme?

Ngaqë e njoh mirë situatën, ambientin dhe duke parë edhe ndeshjet miqësore të Apolonisë dhe ekipeve të tjera, jam i bindur se nuk duhet ta diskutojë mbijetesën dhe them se kjo gjë është minimumi që duhet të bëjë kjo skuadër. Po e lë mënjanë modestinë dhe po them se, në qoftë se do ta kisha drejtuar unë këtë skuadër, do të ishim në pesëshen e parë, gjë që ia uroj edhe trajnerit tjetër. BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"