Tavo: Vazhdon projekti i nisur më parë; Lika: Të mendojmë fillimisht për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2017 | 14:37

Tavo: Vazhdon projekti i nisur më parë; Lika: Të mendojmë fillimisht për mbijetesën

Hasan Lika është prezantuar dje si trajneri i ri i Luftëtarit. Pas “divorcit” me dyshen uruguaiane, Daniel Fernandez dhe Luis Kurbelo, klubi gjirokastrit i besoi pankinën 57-vjeçarit me shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar. Lika ka drejtuar Partizanin, Teutën, Apoloninë, Vllazninë dhe Kukësin, ndërsa ka arritur të fitojë trofe si pjesë e të kuqve dhe durrsakëve.

lika hasan

Në paraditen e së mërkurës, Lika doli para mediave i shoqëruar nga presidenti Grigor Tavo, shefi i klubit, Gentian Nora, si dhe përgatitësi atletik, Kostas Kolcidhas. Ky i fundit, bashkë me trajnerin e portierëve, Dritan Kristidhi, do të jenë ndihmësit e Likës. Ende nuk është vendosur nëse trajneri kryeqytetas do të ketë edhe një tjetër ndihmës për të plotësuar stafin teknik.

PRESIDENTI

I pari që ka marrë fjalën në konferencën për shtyp ka qenë presidenti Grigor Tavo, i cili ua parapriu gazetarëve se do të fliste vetëm për të ardhmen dhe jo atë që ka lënë pas, duke iu referuar kështu eksperiencës që dështoi me dyshen uruguaiane në stol.

“Kam kënaqësinë të prezantoj para mediave trajnerin e ri të Luftëtarit, Hasan Lika, i cili është një emër që të gjithë e njohin. Me Likën do të vazhdojmë projektin e nisur më herët, për një Luftëtar që synon gjithnjë e më lart në vazhdimësi. Të jeni të bindur se gjithçka do të shkojë mirë për skuadrën, pavarësisht rezultateve të fundit.

Kërkoj mirëkuptimin tuaj (iu drejtohet gazetarëve) sa i takon të shkuarës. Dua që nga ky moment, të gjithë te Luftëtari të përqendrohen totalisht te ndeshja e radhës dhe për më tepër në objektivin që kemi”, deklaroi dje Tavo.

TRAJNERI

Përpara se Lika të prezantohej para mediave, ka bërë një takim me lojtarët në prani edhe të drejtuesve të klubit. “Panorama Sport” mëson se kryefjala e trajnerit të ri, në bisedën para skuadrës, ka qenë disiplina dhe regjim i rreptë sportiv që futbollistët duhet të mbajnë. Lika u ka bërë me dije lojtarëve se do të ketë tolerancë zero për ata që nuk zbatojnë detyrat në stërvitje dhe ndeshje.

Nga sa mësohet, menjëherë pas takimit dhe seancës së parë që ka zhvilluar, Lika u ka kërkuar të gjithë lojtarëve një numër kontakti (telefoni) për të mësuar gjithçka që ka të bëjë me regjimin e përditshëm. Ndryshe nga stafi i mëparshëm, që ishte disi tolerant, tani edhe vetë futbollistët janë të vetëdijshëm për atë që i pret.

Edhe presidenti Tavo ka paralajmëruar skuadrën se do të jetë i ashpër me ata që thyejnë disiplinën. Ndërkohë, në prezantimin si trajner i Luftëtarit, Lika deklaroi:

“E kam pranuar me kënaqësi ftesën e presidentit Tavo. Te Luftëtari ka lojtarë të cilët i njoh mirë. Për momentin duhet të kalojmë zonën e ftohtë, e më pas të mendojmë për objektiva të tjera. Primare është qëndrimi mes më të mirëve, por pse jo të mos pretendojmë për më tepër. Nga sot (dje) do të fillojmë nga puna për ndeshjen me Kukësin. Ditët i kemi disi të limituara, por me disiplinë në fushë dhe jashtë saj, besoj se do t’i arrijmë synimet që kemi vendosur bashkë me klubin”.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"