Tavo: Trefish i bindur se kthesa erdhi, “topin” e kanë lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2018 | 18:30

Tavo: Trefish i bindur se kthesa erdhi, “topin” e kanë lojtarët

Fitorja në “Redi Maloku” ka ndezur shpresat e Luftëtarit. Ka mjaftuar një trepikësh me Kastriotin që në kampin bluzi të rikthehet optimizmi. Dhe entuziazmi duket te presidenti Grigor Tavo, i cili nuk ka kursyer elozhet për ekipin e tij dhe stafin pas suksesit të siguruar.

Grigor Tavo tribune

Dy ditë para ndeshjes me Laçin, ai shprehet i bindur se ecuria në tri fazat e mbetura do të jetë krejt ndryshe nga ajo që u pa në të parën. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i klubit evidenton se ka ardhur koha që skuadra të ketë vazhdimësi. “Ndaj Kastriotit pashë një skuadër të mobilizuar, e vendosur për të fituar përballjen me rivalin e fortë në shtëpi. Edhe pse terreni nuk lejonte interpretimin e lojës që ne dimë të bëjmë, futbollistët dhe stafi teknik ia dolën të merrnin tri pikë të çmuara. Janë këto pikë dhe gjendja aktuale e skuadrës, e cila më bën të besoj se ndaj Laçit do të fitojmë. Nëse lojtarët janë të bindur një herë te fitorja, unë jam trefish i bindur se do fitojmë”, u shpreh fillimisht Tavo.

ECURIA – Luftëtari pas 10 javësh të luajtura koleksion nëntë pikë, aq sa Tirana, me një pikë më shumë se Kamza dhe 5 më shumë se Kastrioti që mbyll tabelën. Në takimin e parë të luajtur në Gjirokastër, Kastrioti triumfoi 1-0, ndërsa javën e fundit u “hakmorën” me krutanët me fitoren 2-0 në Fushë-Krujë. Për presidentin, fitorja me Kastriotin s’do të jetë e para dhe as e fundit. “Nga fitorja me Kastriotin e në vazhdimësi do të nisë kthesa e madhe për skuadrën tonë. Të gjithë të jenë të bindur se Luftëtari nuk është dorëzuar, përkundrazi do të jetë më kompetitiv dhe konkurrues. Për çdo ndeshje kemi objektivat tona. Të lëmë pas kundërshtarët, të rritemi në klasifikim për t’u larguar nga zona e ftohtë dhe pastaj të mendojmë për më lart”, përfundoi kreu i klubit gjirokastrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"