Tavo në kryeqytet, bisedime për trajnerin e ri të Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 13:58

Tavo në kryeqytet, bisedime për trajnerin e ri të Luftëtarit

Orë vendimtare për pankinën e Luftëtarit. “Panorama Sport” mëson se dje presidenti i klubit gjirokastrit, Grigor Tavo, ka qenë në Tiranë, ku dhe ka biseduar më konkretisht me kandidatët që mund të pasojnë Millosh Kostiç në krye të pankinës bluzi. Gjithsesi, nga klubi nuk ka asnjë konfirmim për largimin ose jo të trajnerit slloven, i cili ka një kontratë 3-vjeçare me Luftëtarin.

Grigor Tavo tribune

Një hall më vete për momentin është sesi do të prishet marrëveshja me Kostiç. Në rast se palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për një mbyllje të kontratës me mirëkuptim, atëherë prishja e njëanshme e saj mund të kishte një kosto shumë të lartë për klubin. Kushti në kontratën e firmosur nga slloveni ka qenë që Luftëtari të mbyllë kampionatin jo më poshtë se vendi i tretë. Mirëpo, pas katër javësh, gjirokastritët jo vetëm që nuk janë në rrugën e duhur, por si kurrë më parë në historinë e tyre kanë pësuar katër humbje radhazi në start. Ende nuk dihen preferencat e Tavos për trajnerin që mund të zëvendësojë Kostiç, por gazeta mëson se në plan të parë është trajneri kryeqytetas, Shkëlqim Muça.

Kostic

Gjithashtu, një kandidat potencial është edhe Gentian Mezani, i cili mbi të gjitha gëzon edhe mbështetjen e grupit aktual të skuadrës, me disa lojtarë që e njohin mirë vlonjatin dhe do të donin të bashkëpunonin. Ndërkohë, dje ka qarkulluar edhe emri i trajnerit tjetër vlonjat, Agim Canaj, por nga klubi nuk asgjë zyrtare për kandidatët e përfolur, pavarësisht se Tavo po i paraprin situatës. Sot ose maksimumi nesër do të mësohet gjithçka, por më parë presidenti pritet të takojë trajnerin aktual, e më pas të vendosë përfundimisht. Nuk është çudi që Kostiç të drejtojë edhe ndeshjen e radhës ndaj Teutës si shansi i fundit për të. Vetë slloveni deklaroi se nëse nuk fiton ndaj durrsakëve, do të largohet.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"