“Tatëpjetën e morëm në janar. Ndryshojini emrin ligës…”, shfryn Bubeqi: Turp që Kavaja nuk ka stadium!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 9:27

“Tatëpjetën e morëm në janar. Ndryshojini emrin ligës…”, shfryn Bubeqi: Turp që Kavaja nuk ka stadium!

Besa mbylli një sezon të dështuar, por të paktën shmangu “play out”-in dhe rrjedhimisht turpin. Dorjan Bubeqi e pranon që shkoi si mos më keq, e megjithatë hapur e thotë: “S’mund të bënim më shumë me këtë grup…”.

Bubeqi

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri skanon problematikën e një kampionati të tërë, por flet edhe për të ardhmen.

Thekson se cilësia e garës do të rritet me emrat e mëdhenj si Dinamo, Skënderbeu e Flamurtari, ndërsa kavajasit i sheh në vend për sa kohë që nuk do të kenë një stadium.

“Më vjen keq si kavajas dhe si trajner që edhe ky sezon iku. Iku ashtu pa asnjë objektiv. Mbetëm me një grup miks me pak lojtarë përvoje si Muçaj, Perja, Hoxha apo Hyseni e të tjerë. Pjesa tjetër ishin kryesisht lojtarë të rinj.

Largimet e janarit, si Hoxha, Hoxhaj, Tafili, Canka, por edhe të tjerë, e lanë një gropë të madhe pasi nuk u afruan futbollistë të tjerë të atij kalibri.

Ne u munduam ta përballonim sezonin me grupin që mbeti dhe i vlerësoj pa masë të gjithë futbollistët. Ata dhanë atë që kishin mundësi, por që nuk mjaftoi asnjëherë për të plotësuar pritshmëritë”, tha fillimisht ai, teksa evidenton se tatëpjetën e morën pas janarit. SFIDAT FATALE Dy janë sfidat, që sipas teknikut rezultuan fatale:

“Pavarësisht se mbetëm ai grup, jo aty ku duhej pas janarit, përsëri mund dhe duhet të kishin shkuar gjërat ndryshe. Dy ndeshjet që na goditën keqazi ishin humbja në Maliq dhe barazimi brenda me Butrintin.

Këto pikë të munguara bënë që t’i iknim ‘play out’-it vetëm javën e fundit. Përgjegjësia është e të gjithëve, pasi i menduam të fituara dy takimet nisur nga renditja dhe përbërjet e tyre dhe e pësuam”.

LIGA DHE STADIUMI

Ai bën një apel të fortë për të nisur sa më shpejt punën për riformatimin e Besës së re, por edhe për stadiumin. “Po i afrohemi fundit të majit dhe, me sa di, presidenti Bizhdili ka nisur tratativat me futbollistë të ndryshëm.

Gjykoj se duhet nxituar edhe pse dikush thotë se ka kohë. Them kështu, pasi vështirë të gjesh futbollistë cilësorë në korrik të lirë, pasi të gjithë nxitojnë t’i afrojnë sikurse Besa.

Sezoni i ri do të jetë ndoshta kampionati më i fortë që ka pasur në histori Liga e Parë. Emra si Dinamo, Skënderbeu, Flamurtari, Besa, Lushnja, Apolonia, Tomori, Korabi kurrë nuk i ka pasur bashkë Kategoria e Parë.

Thënë ndryshe, preferoj ta quaj Superliga B kampionatin e ardhshëm. Do të jetë vërtet një garë që s’është parë kurrë, ndaj apelova më herët që Besa t’i paraprijë kësaj situate.

Shpresoj që pavarësisht emrave dhe garës, ne të kthehemi aty ku duhet të jemi, në Superiore. Po veçoj me të madhe nevojën e fillimit të punimeve në stadiumin ‘Besa’. Është turp që Kavaja kaq vite të mbetet pa stadium”, përfundon Bubeqi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"