“Tashmë nuk ka më vend për gabime”, Abazaj: Jemi më mirë se Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 14:00

“Tashmë nuk ka më vend për gabime”, Abazaj: Jemi më mirë se Apolonia

Gara për kreun e Grupit B është ashpërsuar ndjeshëm dhe kjo kuptohet qartësisht prej renditjes. Liqenorët janë të dytët në tabelë, por me pikë të barabarta me Apoloninë pas 17 javësh. Fundi i kësaj faze i përball me Turbinën dhe vetë trajneri e thotë “troç” se gabimet janë të ndaluara.Abazaj222

“Duhet shumë kujdes. Ne mendojmë për të tashmen, ndaj le ta mbyllim njëherë fazën e dytë e pastaj të mendojmë për të tretën. Nuk duhet të shpërqendrohemi, se mund të gabojmë. Unë mendoj se, duke marrë edhe këtë ndeshje të fundit me shumë seriozitet, ne do t’ia dalim të jemi në kryesim”, kështu e nisi fjalën e tij “timonieri” i pogradecarëve.

Këtë të shtunë, stafi teknik do t’i bëjë llogaritë me një grup të plotë. Asnjë mungesë prej dëmtimeve dhe pezullimeve, e megjithatë Abazaj e ka një peng: “Nuk do të jenë sportdashësit në këtë takim. Këtë herë, më shumë për ta sesa për ne, duhet ta ndanim bashkë suksesin e këtij rrugëtimi. Më vjen akoma më keq që në fazën finale ne do t’i kemi shkallët e stadiumit bosh. Por, duke kryer gjysmën e dënimit, mendoj se do të amnistohemi dhe kjo është normale, pasi për herë të parë ne marrim një dënim”.pogradeci

Duket se lufta për më tej do të jetë shumë e vështirë, atje ku edhe ekipet e kreut si Pogradeci dhe Apolonia janë në bashkëkryesim. Por, liqenorët nuk mendojnë të gabojnë, ndërkohë që shpresojnë të gabojë kundërshtari. “Duke startuar të dyja ekipet nga një vijë nisjeje, është më mirë për ne. Mendojmë dhe shpresojmë që do të jemi më mirë se kundërshtari në vazhdimin e kësaj gare. Për këtë tashmë jemi të bindur, referuar asaj që kemi dhënë në fushë”, përfundoi numri një i stolit.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"