Tarifa e reduktuar për basketbollin, Toska: Më mirë 50% se pa gjë fare, Flamurtari sërish për tre titujt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2020 | 20:14

Tarifa e reduktuar për basketbollin, Toska: Më mirë 50% se pa gjë fare, Flamurtari sërish për tre titujt

Pas një periudhe rreth 7-mujore larg parketit për shkak të pandemisë, basketbolli shqiptar po përgatitet për sezonin e ri duke shpresuar që qeveria të hapë dritën jeshile për zhvillimin e aktiviteteve sportive në salla të mbyllura. Skuadra e femrave të Flamurtarit, siç dihet, ishte një prej ekipeve më të penalizuara nga anulimi i edicionit të kaluar, pasi vlonjatet kishin ndërtuar një skuadër të pathyeshme, duke i fituar të gjitha takimet e zhvilluara me rezultate treshifrore. Megjithatë, trajneri Viron Toska tashmë e ka lënë pas krahëve atë që ndodhi një sezon më parë dhe premton se Flamurtari do të jetë sërish në nivele të tilla:
-800-0-f5a0d823f89166b38bac40e8a224389c
“Ekipi do të ketë të njëjtët objektiva që ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve, të cilët janë fitimi i çdo trofeu të mundshëm. Edhe këtë vit do të kemi një Flamurtar shumë të fortë, të gjitha lojtaret e huaja janë me nivel të lartë. Janë basketbolliste, të cilat i përshtaten shumë mirë lojës sonë. Tani shpresojmë që qeveria t’i lejojë sa më parë aktivitetet në salla të mbyllura dhe në çdo kohë kur federata të njoftojë fillimin ne do të jemi gati për të luajtur”, deklaroi Toska në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”.
Analiza vjetore FSHB 2016 A
Më tej trajneri vlonjat ndalet te vendimi i fundit i Federatës Shqiptare të Basketbollit, ku thuhet se skuadrat do të paguajnë gjysmën e tarifës për regjistrimin në kampionat. Toska e vlerëson pozitivisht vendimin e FSHB-së: “Tani le të themi më mirë 50% sesa fare. Flamurtari është nga ato skuadra që ka shpenzuar më shumë, sepse gjithmonë ka pasur lojtare të huaja dhe tarifat e tyre dihet që janë të larta. Kështu që, për ne çdo lloj lehtësimi financiar është diçka pozitive që na lehtëson”.
119143392-4315407948529531-6651466972394918191-o
Në fund ish-trajneri i Kombëtares së femrave flet edhe për Ligën Unike, eventin e basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova: “Marrëveshja për Ligën Unike është një nismë mjaft e mirë basketbollin, sepse kuptohet që Kosova ka një nivel shumë të zhvilluar dhe do t’i ndihmojë shumë skuadrat tona. Sigurisht edhe në Shqipëri 3 apo 4 skuadra kanë lojtarë të huaj dhe janë forcuar shumë. Është një iniciativë që do ta ndihmojë shumë basketbollin. Po të ishte bërë edhe te femrat, do të ishte diçka akoma më e mirë. Megjithatë, si fillim edhe turneu që është vendosur që do të bëhet, duhet vlerësuar, pasi do ta çojë përpara basketbollin”, përfundoi deklaratën e tij trajneri Viron Toska.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"