“Tare fenomen”, analiza e Vierit: Pirlo s’është bast, ja kush është rivali i tij kryesor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2020 | 23:20

“Tare fenomen”, analiza e Vierit: Pirlo s’është bast, ja kush është rivali i tij kryesor

Sot rinis Seria A dhe Kristian Vieri ka marrë përsipër të bëjë skanerin e kampionatit italian nëpërmjet një interviste për “Corriere della Sera”. Ish-sulmuesi i Juves, Interit dhe Milanit ka folur edhe për betejën ligjore që planifikon të nisë kundër emisionit “Tiki Taka” ku ka qenë në rolin e opinonistit në sezonet e fundit.

vieri

Kristian Vieri, më në fund do të nisë edhe kampionati.

Po, por për fat të keq, pa tifozë. Ky aspekt e shndërron në një tjetër sport. Uroj që së shpejti të hapen dyert e stadiumeve, të paktën për një numër të kufizuar tifozësh, gjithmonë duke respektuar normat e sigurisë, sepse “COVID”-i është problem serioz e duhet ta kuptojnë të gjithë.

Mendoni se edhe sivjet do të asistojmë në monologun e Juves?

Them se po, sidomos nëse Kielini do të jetë mirë fizikisht. Nëse ai është në formë, Juvja rrezikon të na e mbyllë kampionatin shumë herët sepse edhe pjesa tjetër e organikës ka një cilësi të jashtëzakonshme. Me kapitenin në fushë përfiton i gjithë ekipi e jo vetëm prapavija, sepse Kielini është një nga mbrojtësit më të fortë në botë dhe di të udhëheqë të tjerët.

A është Andrea Pirlo një rrezik shumë i madh për Juven?

Nuk shoh asnjë rrezik e as më duket si bast i guximshëm. Nëse dikush ndihet trajner, atëherë duhet të jetë gati në çdo moment e përballë çdo oferte. Vërtet Andrea nuk ka stërvitur as edhe një ekip fëmijësh, por në karrierë i ka parë syri gjithçka dhe ka krijuar një bagazh përvojë si pak të tjerë. Të gjitha këtyre u shtohet edhe fakti se e njeh më së miri ambientin juventin.

Si e shpjegoni zgjedhjen e bardhezinjve?

Andrea Anjeli e zgjodhi siç bëri Laporta me Guardiolën. Tani është radha e Pirlos për të ndërtuar një skuadër fituese brenda një klubi të mësuar me suksese. Nëse merr edhe Xhekon, atëherë Juvja është shumë pranë përsosmërisë.

Pa harruar Kristiano Ronaldon?

Një marciao, i pamarkueshëm e i pashkatërrueshëm.

Ndoshta edhe pak i moshuar?

Mos flasim kot. Ibra është 39 vjeç dhe e shikon se çfarë bën.

Le të flasim për Ibrahimoviçin atëherë.

Një konfirmim thelbësor për Milanin. Edhe sot e kësaj dite është shkatërrimtar, i fortë e shumë në formë e për më tepër shënon gjithmonë. Një lojtar klasi që do të luajë derisa ta ndiejë se mund të bënë diferencën. Jam i bindur që do të bëjë një kampionat madhështor e do të shënojë të paktën 20 gola.

Ju pëlqen merkatoja e Milanit?

Kapiteni (Maldini) po tregohet shumë i zoti. Edhe mbrojtja e trajnerit m’u duk një veprim inteligjent sepse po të kishte qenë për Gazidhisin… Paolo ka një jetë në futboll dhe e di shumë mirë se revolucionet e befta nuk sjellin asnjë rezultat. Duhet vazhdimësi e cila në afate të gjata sjell gjithmonë fryte.

A është Interi rivali kryesor i Juventusit?

Po. Më mirë për Interin që Konte qëndroi sepse klubit do t’i kishte kushtuar rëndë një ndërprerje e punës së trajnerit. Vendi i dytë në kampionat dhe finalja në Ligën e Europës mbeten rezultate fantastike. Antonio është nga ata trajnerë që pret shumë, por në këmbim të jep dyfishin. Marrim si shembull Lukakun, i cili nuk ka qenë kurrë kaq vendimtar në karrierën e tij.

Lukaku ia doli mbanë të fshinte edhe kujtimin e Ikardit.

Mosbesues ishin ata që nuk marrin vesh nga futbolli. Lukaku është një ndër sulmuesit më të mirë në botë e nuk ka pikë dyshimi.

Në Serinë A është rikthyer edhe Pipo Inzagi…

I jap notën 10! Nuk e vrau mendjen kur pranoi sfidën e Serisë B të cilën e dominoi me Beneventon duke thyer çdo rekord. Pipo nuk ka asgjë për t’i dëshmuar askujt në lidhje me cilësitë si trajner.

Çfarë duhet të presim tjetër nga kampionati që do të nisë?

Konfirmimin e Imobiles si golashënues. Në sezonin e fundit la pas njerëz si Levandovski, Mesi, Ronaldo, por sivjet pres të bëjë diçka më shumë në kombëtare. Të njëjtën gjë ia kërkoj edhe Belotit i cili u tregua një kapiten i vërtetë duke mos braktisur Torinon, edhe pse ka pasur oferta nga klube më të mëdha. Pres konfirmimin e Atalantës në Champions, por edhe rikthimin e një kampioni si Zaniolo.

A do ta kishte fituar Lacio titullin pa ndalesën prej Koronavirusit?

Mendoj se Juvja do t’i kishte menaxhuar gjithsesi vështirësitë. Kur ke detyrimin e fitores, gjithçka ndryshon e nuk di nëse Lacio do ta përballonte dot presionin. Sivjet pres të bëjnë më shumë, sepse nuk shitën asnjë nga yjet dhe sepse Tare bën merkato prej fenomeni me aq buxhet sa i vendosin në dispozicion.

Një pyetje ndërkombëtare. E patë Holandë-Itali?

Them se do të fitojmë Europianin vitin e ardhshëm.

Thuhet se nuk do të jeni më në emisionin sportiv “Tiki Taka”…

Jo, dhe këtë e mora vesh sot për nesër. Kontrata ime është anuluar pa arsye dhe nuk e prisja. Këtë çështje do ta zgjidhë gjyqi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"