“Tani që u kthyem, nuk ndalemi më”, Moçka: Fitojmë në Lushnjë, i bindur që Flamurtari do kthehet në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2021 | 10:40

“Tani që u kthyem, nuk ndalemi më”, Moçka: Fitojmë në Lushnjë, i bindur që Flamurtari do kthehet në Superiore

Shpëtim Moçka shikon çdo ndeshje si finale. Portieri mendon se humbjet kanë ardhur si rezultat i gabimeve të Flamurtarit dhe jo për meritë të kundërshtarëve. “Veterani” qan pikët e lëna rrugës, por nuk e diskuton rënien në Kategorinë e Dytë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai paralajmëron fitoren e radhës kundër Lushnjës, ndonëse luhet në transfertë. Vlonjati është i bindur se Flamurtari do të ringjallet dhe shumë shpejt do të shkojë në vendin ku i takon: në Kategorinë Superiore.

Mocka Flamurtari

U rikthyet pas tre muajsh te fitorja, por pse duhej të zgjaste kaq shumë pritja…?

Është e vërtetë, zgjati shumë. Ecuria nuk kanë qenë aspak pozitive, pasi kemi pësuar 4 humbje, por ato nuk kanë qenë rezultat i lojës apo dominimit të kundërshtarit.

Si kanë ardhur?

Kanë ardhur prej gabimeve tona, kemi mundur veten.

A u çliruat psikologjiksht pas fitores me Elbasanin?

Pas fitores me Elbasanin, ekipi është çliruar nga ana psikologjike. Në këto kushte duhet që të vlerësojmë si finale çdo ndeshje, përfshi edhe atë me Lushnjën.

Luani në transfertë, nuk mendoni që kundërshtari është më i favorizuar?

Ndeshjen me Lushnjën e vlerësojmë maksimalisht. Ne kemi besim në forcat tona. Në këtë takim shkojmë për të marrë maksimumin. Nuk duhet të mendojmë rezultat tjetër, përveç 3 pikëve. Është një rezultat më se i arritshëm. Jemi gati për këtë 90-minutësh dhe ekipi është përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Flamurtari Mocka

Sa e njihni Lushnjën?

E njohim kundërshtarin, pasi kemi parë disa ndeshje në televizor. Ata kanë një ekip për t’u vlerësuar, por siç e thashë më lart, ne duhet të vazhdojmë me rezultatet pozitive. Nuk ka vend për drojë. Unë kam besim tek ekipi që kemi. Nëse zbresim në fushë të mobilizuar, jam i bindur se nga Lushnja do të kthehemi fitimtarë.

Mendoni se ka ndikuar mosfederimi i lojtarëve në këtë situatë?

Po dhe është normale. Çdo ekip do në organikë sa më shumë lojtarë cilësorë. Por, dua të qartësoj se ne kemi vërtet shumë djem të rinj me perspektivë në ekip dhe po rriten dita-ditës. Ata do ta ndihmojnë shumë, pasi kanë dëshirën, vullnetin dhe mbi të gjitha e duan këtë fanellë.

Si mund të ringjallet Flamurtari?

Kemi besim të gjithë se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Unë jam shumë i bindur se Flamurtari do të rikthehet aty ku i takon. Vendi i këtij ekipi është në Superiore.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"