“Tani që dolëm nga zona e rrezikut, nuk na ndal askush”, Bruka: Apolonia është forcuar, por s’e falim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2022 | 11:22

“Tani që dolëm nga zona e rrezikut, nuk na ndal askush”, Bruka: Apolonia është forcuar, por s’e falim

Në Lezhë kanë ndryshuar “kurs”, tani duan ngjitjen. Tashmë që rregullorja për “play off”-in i jep mundësi edhe vendit të gjashtë, edhe te Besëlidhja kanë shtuar pretendimet.

alban bruka

Ata duan që të kapin Kategorinë Superiore, ndonëse rrugëtimi kalon nga tri ndeshje shtesë. Janë vetëm 6 pikë larg kësaj zone, ndaj nuk kanë në plan që të dorëzohen pa tentuar.

Me këtë synim do të zbresin edhe sot në fushë, kur do të presin Apoloninë. Një kundërshtar që e kanë mundur 0-3 në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, ndonëse trajneri e parashikon ndryshe këtë 90- minutësh.

Alban Bruka kujton se fierakët kanë ndryshuar nga faza e parë, e megjithatë qartazi lakmon trepikëshin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku shfaqet më shumë se optimist për këtë duel.

“Të luash futboll me Apoloninë është kënaqësi pasi me të kemi një traditë shumë të gjatë dhe të këndshme ndeshjesh. Ne jemi të vendosur për të fituar pasi nuk duam të rrezikojmë dhe për më tepër jemi para tifozërisë sonë. Ekipi është në ditët e tij më të mira. Këtë e tregoi edhe në transfertën e javës së shkuar ndaj Vorës.

Ndonëse fazën e parë në Fier fituam thellë me shifrat 0-3, Apoloninë e kemi vlerësuar maksimalisht, pasi nuk është më ai ekipi i fazës së parë, por sot ndodhet në pozicion komod në renditje.

Pozitiv për ne është fakti se shumicën dërrmuese të futbollistëve i kam në dispozicion dhe shumë lart psikologjikisht. Besoj se tani kemi dalë nga vallja e rrezikut dhe po nisim ngjitjen drejt zonës së sigurisë”, përfundoi numri një i pankinës lezhjane.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"