“Tani nis sezoni i Teutës”, ish-sulmuesi Mancaku: Ju tregoj pse vuan sulmi i durrsakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 15:53

“Tani nis sezoni i Teutës”, ish-sulmuesi Mancaku: Ju tregoj pse vuan sulmi i durrsakëve

Teuta kërkon kthesën ndaj Vllaznisë. Edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar që u ka hapur gjithnjë punë, durrsakët janë të bindur se nuk do të largohen duarbosh nga “Loro Boriçi”. I këtij mendimi është edhe një ish, si Bledar Mancaku. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon ecurinë e ish-skuadrës së tij, ndërsa thekson se kampionati i vërtetë për Teutën nis pikërisht tani.


mancaku

Bledar, mendoni që ndeshja Luftëtari-Teuta është dëshmi se këtë sezon nuk ka kundërshtarë të lehtë në Superiore?

Nuk ka ndeshje të lehta. Teuta ishte në një situatë ku gjithçka mund të ndodhte. Natyrisht, që rezultati i kësaj ndeshjeje nuk i shkoi për shtat, por në sport gjithçka mund të ndodhë. Unë shpresoj që ky pushim t’i shërbejë skuadrës durrsake.

Teuta ka shënuar vetëm 8 gola në 12 javë kampionat. Çfarë nuk po funksionon me sulmuesit?

Sulmuesit duhet të mësojnë të bëjnë presing përpara. Teuta ka zhvilluar lojëra të mira. Është një ekip që shënon me vështirësi dhe mbrohet mirë. Ka pasur shumë kritika për dy sulmuesit pas çdo ndeshjeje dhe kjo është e vështirë për ta. Ata po punojnë shumë për ekipin. Si Nikaç dhe Khalid dëshirojnë të bëjnë përshtypje duke punuar të tërhequr dhe nuk futen në zonë, ndaj kjo është arsyeja që ata nuk shënojnë. Mendoj se ka edhe një problem psikologjik. Dëshira e madhe për të shënuar ndikon, shokët po u shërbejnë shumë raste, por ata po gabojnë. Megjithatë, të gjithë duhet të punojnë për t’i ndihmuar në këtë aspekt.

Si e shikoni ecurinë e Teutës në këtë sezon, që ka nisur me objektiva të rëndësishëm?

Deri në këtë pikë të sezonit, mendoj se Teuta ka bërë mirë, pavarësisht luhatjeve që janë më se normale për një skuadër të rindërtuar. Teuta po vuan disi harmonizimin e grupit dhe kjo, për mendimin tim, është thelbësore. Por, e shikoj si çështje kohe dhe gjithçka do të rregullohet. Ekipi do të bëjë gjithçka për të arritur tek objektivat e tij.

Ju ka bindur deri më tani ky ekip?

Është një grup lojtarësh me një moshë relativisht të re dhe me disa të tjerë me eksperiencë, si Renato Arapi, Hoxha apo Çyrbja. Lojtarët e rinj që janë aktivizuar deri më tani, mendojnë se kanë dhënë shumë. Janë ambientuar mirë me njëri-tjetrin dhe trajneri po u merr maksimumin atyre.

Cila është skuadra për t’u mundur në këtë kampionat?

Në një kampionat të tillë, të ngjeshur, ndeshjet duhen marrë një nga një, sepse nuk ka kundërshtarë të lehtë e të fortë. Duhet të punosh dhe të luftosh fort në çdo ndeshje, që të marrësh maksimumin dhe të mos shikosh cilën skuadër ke përpara. Pra, thjesht duhet të luftosh e të besosh në aftësitë e tua.

Ndeshja e radhës për Teutën pas gati dy javësh do të jetë përballë Vllaznisë. Si e parashikoni këtë duel?

Patjetër që duhet të fitojnë në Shkodër, ndryshe situata komplikohet. Skuadra duhet të përgatitet mirë, si moralisht ashtu edhe fizikisht, si dhe të zbresë në fushë vetëm për fitore. Vllaznia ka një trajner shumë të mirë dhe një grup lojtarësh cilësorë. Teuta duhet të ketë shumë kujdes, pasi mund t’i krijojë probleme. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe nuk mund të bëhet një parashikim për rezultatin, por ju siguroj se ka për të qenë një lojë e bukur. Por, kam shumë besim te forcat e Teutës dhe gjithashtu bindje se do ta kalojnë me sukses këtë pengesë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"