“Tani nis ngjitja e Lushnjes”, Canka: Besa? Skuadër që vrapon, por unë… i njoh!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2022 | 11:10

“Tani nis ngjitja e Lushnjes”, Canka: Besa? Skuadër që vrapon, por unë… i njoh!

Lushnja nuk ka në plan të ndalet. Pasi gjetën fitoren, misioni është i qartë: vazhdimësia dhe ngjitja në renditje. Këtë e thotë edhe kapiteni Mikel Canka, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”.

Canka

Ai thekson se morali është rritur dhe do ta shfrytëzojnë për të siguruar një tjetër trepikësh, që do të ishte i pari në transfertë. E ka të qartë se me Besën nuk do të jetë e thjeshtë, por as e pamundur.

“Gjatë gjithë javës ekipi ka punuar për përballjen e radhës. Luajmë në Peqin, kundër Besës. Morali është i lartë. Ajo fitore me Turbinën ka bërë që në ambientin tonë të rritet besimi.

Tani duhet të përqendrohemi totalisht te kavajasit. Nëse duam të ngrihemi sa më lart në tabelë, kjo arrihet vetëm duke pasur besim te vetja. Ky është hapi i parë”, deklaroi fillimisht sulmuesi.

RENDITJA – Lushnja është pozicionuar e 10-ta, pas 7 javëve të luajtura në kampionat dhe njësoj si një vit më parë është në vështirësi të madhe të marrjes së rezultatit sportiv.

“Gjendja në renditje e tregon qartë. Një fitore të ngre lart në pozita më të mira. Ekipet janë paksa të ngjeshura me njëra-tjetrën. E parë në këtë drejtim, nuk e kemi luksin që të gabojmë. Shpresojmë të kemi të vazhdimësi tani dhe t’i largohemi fundit të tabelës”, tha 35-vjeçari.

TRANSFERTA – Në fushë asnjanëse dhe pa tifozë, Canka e sheh Lushnjën favorite. “Pavarësisht këtyre problemeve që ka kundërshtari, ne duhet të mobilizohemi për të qenë të qetë. Ta mendojmë ndeshjen sikur po luajmë në fushën tonë”, tha kapiteni, që ka shënuar vetëm një gol në këto shtatë javë.

GOLI – Ai ka munguar në disa takime për arsye skualifikimi dhe dëmtimi, por as me Turbinës nuk pati fat dhe u ndal nga traversa. Është një “ish” dhe mundësitë për t’u rikthyer te goli janë reale.

“E njoh mirë Besën dhe do të bëj çmos që të shënoj, por duhet kujdes. Janë disa lojtarë që vrapojnë dhe me cilësi të mira teknike.

I kam ndjekur kundër Apoloninë, janë për t’u vlerësuar në maksimum. Kështu që do të jetë një përballje mjaft e fortë. Të bëhet një ndeshje e bukur, sepse në fund të fundit luajnë dy ekipe me emër në futbollin shqiptar”, përfundoi sulmuesi i lushnjarëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"