“Tani nis kthesa e Interit!”, gol pas 6 vitesh, Çalhanoglu: E kisha pritur këtë moment, kualifikimi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 14:32

“Tani nis kthesa e Interit!”, gol pas 6 vitesh, Çalhanoglu: E kisha pritur këtë moment, kualifikimi…

Interi ka marrë një fitore të madhe kundër Barcelonës të martën në mbrëmje, duke fituar me shifrat 1-0 falë golit të shënuar nga Hakan Çalhanoglu. Për Interin kjo ishte si një finale e parë, të cilën e ka arkivuar.

CALHANOGLU 1

Kjo i jep një avantazh jo të paktë zikaltërve, teksa javën e ardhshme do të kthejnë vizitën në “Camp Nou”.

Një gol që vjen në momentin e duhur për mesfushorin turk, që kthehet të shënojë në Ligën e Kampioneve pas plot 6 vjetësh.

Më 14 shtator 2016 shënonte kundër CSKA-së së Moskës, teksa luante për Leverkusenin. Mbrëmë e ka bërë me Interin në momentin më delikat të zikaltërve, duke i shpëtuar në njëfarë mënyre dhe stolin trajnerit Simone Inzagi.

Çalha nuk e ka fshehur gëzimin e tij për golin që i mungonte prej shumë vitesh në kompeticionin më të rëndësishëm në nivel klubesh në Europë.

CALHANOGLU 2

“Kujtoj se golin e fundit e kam shënuar me Leverkusenin. Ndaj nuk mund ta fsheh se jam i lumtur. Gjithsesi, më shumë rëndësi ka fitorja.

Ishte tepër e rëndësishme, pasi duhet t’i përçonim një sinjal tifozëve tanë. Ata na kanë qëndruar pranë në këto javë të vështira. Na kanë mbështetur dhe ndaj Barcelonës dhe më vjen mirë që ia kemi shpërblyer me një fitore”, ka thënë ai. Turku i Interit ka shtuar se beson që kjo fitore do të shënojë një pikë kthese në sezonin e tyre.

CALHANOGLU 3

“Na duhej kjo fitore, për renditjen dhe për moralin dhe besoj se nga këtu do të nisë kthesa jonë. E rëndësishme është të punojmë fort e të shohim përpara”, ka thënë ai.

Çalhanoglu ka folur dhe për shanset e Interit për të kaluar grupin. Ai ka zgjedhur të qëndrojë me këmbë në tokë.

“Duhet të ruajmë qetësinë dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, hap pas hapi. Asgjë nuk ka përfunduar”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"