Tani mund të tentohet arritja e objektivave, Partizani kënaq trajnerin Sormani me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 12:30

Tani mund të tentohet arritja e objektivave, Partizani kënaq trajnerin Sormani me…

Rifillimi i përgatitjeve stërvitore në terren po ecën mbarë për ekipin e Partizanit. Duke ditur se zyrtarisht kanë qëndruar 66 ditë në izolim dhe pa përgatitje në grup, stafi teknik me në krye trajnerin Adolfo Sormani janë treguar të kujdesshëm në planifikimin e punës dhe ngarkesës që do të marrin lojtarët në këtë periudhë.partizani

Përveç zbatimit të protokollit shëndetësor, stafi po i ruan lojtarët që të mos pësojnë ndonjë dëmtim fizik, pasi periudha e pezullimit i ekspozon shumë. Për momentin të kuqtë e kryeqytetit zhvillojnë një seancë stërvitore, që kryhet çdo ditë paradite në kompleksin “Futboll Republic”. Ndërsa pasdite lojtarët janë parë të zhvillojnë aktivitete sipas dëshirave të tyre, ku nuk kanë munguar vrapimet apo lojërat me dorë në ambiente të hapura, seanca masazhi dhe ushtrime force.

Për momentin në kampin e kuq janë të kënaqur me ecurinë e skuadrës, pasi asnjë lojtar nuk ka shfaqur probleme shëndetësore apo fizike. Kjo javë do t’u kushtohet vetëm përgatitjeve në grup dhe stafi nuk ka planifikuar asnjë ndeshje kontrolli me ndonjë kundërshtar tjetër. E shumta që mund të bëjnë është organizimi i ndonjë minindeshjeje brenda grupit.

Partizani shpreson të jetë gati për rifillimin e garës më 3 qershor, gjithsesi shqetësimi për startin mbetet, se akoma nuk është certifikuar nga qeveria data për nisjen e Kategorisë Superiore. 10 ndeshjet e mbetura kanë shumë rëndësi për Partizanin, ku ka shansin e vetëm për të siguruar biletën për në Kupat e Europës. Për momentin ndodhet jashtë këtij objektivi, ku ndodhet i gjashti me 38 pikë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"