“Tani i sfidojmë të gjithë”, Gripshi: Shehi super, por do vuajë kundër Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2020 | 14:16

“Tani i sfidojmë të gjithë”, Gripshi: Shehi super, por do vuajë kundër Skënderbeut

Skënderbeu pret ndeshjen e së hënës ndaj Kukësit në kampionat në një përballje të veçantë. Ndeshja e kësaj jave nuk është thjesht një provë zjarri për Skënderbeun, por mbi të gjitha, një takim ku do të përballen me ish-trajnerin dhe kapitenin Orges Shehi. Për një nga beniaminët e ish-trajnerit, përballja me Shehin mbetet speciale.

gripshi

Nazmi Gripshi, në një deklaratë për “Panorama Sport”, flet për këtë takim fillimisht si një ndeshje, si një takim që Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë ta fitojë. Kjo sipas Gripshit vjen nga forma e mirë që korçarët po tregojnë këtë vit dhe rezultatet pozitive të marra në vijimësi. Për Gripshin, ndeshja ndaj Kukësit, pavarësisht vështirësisë që mbart, është një takim që mund dhe duhet fituar, por lojtari ka bindjen se Skënderbeu nuk del pa pikë në këtë ndeshje. “Jemi duke kaluar një formë të mirë dhe kjo është diçka që duket.

Pjesa e dytë e sezonit na ka gjetur më të fortë dhe më të kompletuar. Kemi hyrë plotësisht në mekanizmat e kërkuara nga trajneri dhe një gjë e tillë kuptohet lehtësisht nga rezultatet. Nëse do të shohim të gjitha ndeshjet e luajtura në këtë pjesë të dytë të sezonit, pavarësisht se kemi humbur një herë dhe kemi marrë dy barazime, loja ka qenë konstante dhe e një niveli të lartë. Mund të them se jemi ekipi më në formë nga ana fizike.

Për këtë arsye, besoj se edhe ndaj Kukësit kemi mundësi që t’ia dalim dhe të marrim një rezultat pozitiv. Kukësi është një ndër pretendentët për titull dhe duhet thënë se ka një grup mjaft të mirë lojtarësh, por kjo nuk do të thotë se është i pandalshëm. Besimi në radhët tona është maksimal dhe optimizmi gjithashtu. Jam i mendimit se nuk dalim pa pikë nga kjo ndeshje”, theksoi fillimisht Nazmi Gripshi.

SFIDA NDAJ ISH-TRAJNERIT

Më pas, numri 10 i Skënderbeut u ndal edhe te përballja ndaj ish-trajnerit të tyre. Konsiderata e lojtarit për Orges Shehin është maksimale dhe nuk ka dashur të bëjë asnjë batutë të rastit, teksa ka folur vetëm për meritat e tij si trajner dhe ndihmesën e madhe që i ka dhënë në sezonin e kaluar durrsakut.

orges shehi

“Orges Shehi është i prerë për këtë lojë. Qoftë si portier, kapiten dhe trajner ka dhënë shumëçka. Të them të drejtën, unë kam një konsideratë të veçantë për të, pasi në sezonin e kaluar më ka ndihmuar mjaft të rritem dhe mbështetja e tij ka qenë një plus i madh për mua. Ka drejtuar Skënderbeun në një sezon aspak të lehtë, në një vit transitor dhe ka mundur të marrë maksimumin.

Jam i bindur se edhe te Kukësi ka të gjitha mundësitë të bëjë mirë dhe të lërë shenjë. Unë e di sesi punon dhe sa shumë punon Shehi për ekipin. Por besoj se ndaj nesh do e ketë të vështirë, pasi shumë gjëra kanë ndryshuar te ne pas ikjes së tij”, mbylli prononcimin e tij Nazmi Gripshi.

Llazi Saro – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"