“Tani duhet të ishin në elitë”, Sampaio: Humbën “toruan” papritur, ngjitjen e ka në dorë… Longo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 21:53

“Tani duhet të ishin në elitë”, Sampaio: Humbën “toruan” papritur, ngjitjen e ka në dorë… Longo

Rui Sampaio nuk e ka harruar Flamurtarin. Edhe pse gjendet në Emiratet e Bashkuara Arabe, vazhdon t’i ndjekë kuqezinjtë. Nuk e kupton se si kuqezinjtë humbën “toruan” dhe nuk u ngjitën në elitë.

Idrizi Sampaio

E megjithatë, mendon se skuadra do t’ia dalë me anë të ndeshjeve shtesë, gjithnjë nëse Diego Longo do të ketë strategji fituese. Në një intervistë për “Panorama Sport”, braziliani që i provoi të gjitha në Vorë, flet edhe për kohët e vështira që kaloi në Shqipëri.

Keni kohë që jeni shkëputur nga Shqipëria, po a e keni ndjekur Flamurtarin gjatë kësaj periudhe?

Po, patjetër që e kam ndjekur. Dua që të them se që kur jam larguar nga Vlora, nuk jam shkëputur në asnjë moment nga Flamurtari. E kam ndjekur me interes të madh, pasi është skuadra që unë kam stërvitur si përgatitës atletik, por edhe si trajner.

Atë vit që ju drejtuat si trajner, skuadra ra në Kategorinë e Dytë… Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Trishtim, i madh madje. Në fund të fundit, unë e drejtoja atë skuadër. Për gjithçka që ndodhi, mënyrën se si filloi sezoni, ishte e parashikueshme që Flamurtari do të binte nga Kategoria e Parë. Unë besoja se do të ishte një çështje që mund të shmangej.

Si mund të shmangej rënia?

Nëse do ta kisha marrë përsipër ekipin, që nga ndeshja në të cilën unë drejtova ekipin në kampionat, në fitoren 3-0 kundër Tomorit dhe më pas në atë 0-1 kundër Elbasanit, situata do të ishte ndryshe. Ekipi do t’u bindej mënyrës, filozofisë dhe parimeve të mia.

Ju u larguat përpara ndeshjes finale në fakt, do të shkonte ndryshe po të qëndronit?

Nuk mund të them se nëse do të isha unë trajner, do të ishte shmangur rënia. Të them të drejtën, nuk e pashë ndeshjen finale dhe nuk e di se si u përgatit skuadra që nga largimi im. Kam respekt për trajnerin që e drejtoi atë ndeshje. Por, ajo është kohë pak e largët tani dhe nuk e kthejmë dot më.

Sot Flamurtari është në Kategorinë e Parë dhe tenton të ngjitet në elitë. Sa e mundshme është kjo?

Skuadra i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur në elitë. E kishin vetë në dorë dhe tashmë e kanë po vetë. Me sa kam ndjekur kanë një grup të mirë lojtarësh që premtojnë.

Si mund të kalohen ndeshjet e “play off”-it?

Është e vështirë, por nëse lojtarët do të punojnë, do të kenë sukses të plotë. Me siguri që trajneri do të ketë strategjinë më të mirë për fitoren.

Çfarë mendoni se ndodhi?

Më erdhi keq për situatën, sepse ata e filluan shumë mirë sezonin. Por nuk e di se çfarë ndodhi. Skuadra humbi papritmas konsistencën…

Troisi u largua pas humbjes me Dinamon. Keni një koment?

Jo, nuk kam asnjë koment për largimin e Troisit. Janë punët e tij dhe të klubit.

Ju mungon Vlora?

Po, patjetër që më mungon Vlora. Të jem i sinqertë e dua atë qytet dhe atë ambient. Kam pasur dhe kam akoma një marrëdhënie të mirë me të gjithë në klub dhe kam miq që i kam lënë aty. E dua klubin e Flamurtarit, është në zemrën time.

Do të riktheheni një ditë?

Kushedi, çdo gjë ndodh…

Aktualisht ku po punoni?

Jam duke punuar në një klub në Emiratet e Bashkuara Arabe.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"