Talenti i Panathinaikosit “presion” Shqipërisë: Nëse nuk më merr, luaj për Greqinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2018 | 23:04

Talenti i Panathinaikosit “presion” Shqipërisë: Nëse nuk më merr, luaj për Greqinë

Librazhdit ndër vite nuk i kanë munguar talentet që janë aktivizuar si te Sopoti, po ashtu dhe në ekipe të huaja prestigjioze europiane. Më i fundit që po bën bujë në kampionatin grek është 17-vjeçari Erik Hunçi. Familja e Hunçit emigroi si shumë shqiptarë drejt Greqisë, kur Eriku ishte vetëm 2 vjeç. Në moshën 7- vjeçare, Hunçi u bë pjesë e akademisë së skuadrës së njohur greke, Panathinaikos, duke ndjekur ekipet zinxhir deri në moshën 16-vjeçare. Aktualisht, talenti është huazuar tek ekipi i Vironasit për dy sezone, ndërsa drejtuesit grekë të Panathinaikosit e kanë në planet afatgjata të tyre shqiptarin.

erik hunci

Në një prononcim për “Panorama Sport”, i riu nga Librazhdi tregon, përveç punës dhe vullnetit të palodhur, shumë gjëra në jetë janë dhe çështje fati. “Familja ime emigroi drejt Greqisë para shumë vitesh për një jetesë më të mirë si shumë të tjera. S’mbaj mend shumë, pasi kam qenë i vogël, por shansin që m’u dha tek ekipi i Panathinaikosit e mbaj mend shumë mirë. Punëdhënësi i babait tim këtu, një grek i cili kishte djalin e tij në akademinë e Panathinaikosit, pasi bisedon me babanë tim, rastësisht i thotë se mund ta adresonte te dikush që ishte në stafin e kësaj skuadre.

Kështu nisi aventura ime tek ekipi i parë i Athinës. Isha vetëm 7 vjeç kur nisa prekjet e para të topit. Deri në moshën 14- vjeçare, kur në një ndeshje grupmoshash që kishim, ishin të pranishëm disa drejtues që do bënin përzgjedhjen e lojtarëve, me të cilët do vazhdohej puna tek U15. Isha në një formë që as vetë se besoja. Bëra një ndeshje super, shënova dy gola dhe çdo gjë vajti perfekt për mua. Për të më dhënë hapësirat e duhura dhe për t’u rritur si duhet, më huazuan këtu te Vironës dhe jam në rrugën e duhur. Vitin e kaluar pata një thirrje edhe nga Kombëtarja shqiptare e U-17.

Trajneri Xhemal Mustedanagiç shprehu dëshirën për një provë timen në Kombëtare. Ishte pozitive prova dhe paraqitja gjithashtu, por kishte nevojë edhe për ‘gjëra’ të tjera ‘pozitive’ aty në Shqipëri që të merrje atë që jepje. Nuk u kushtova rëndësi dhe vazhdova punën time këtu në Athinë dhe vazhdoj të jem në pritje se mbase në Shqipëri do më jepet shansi për të veshur fanellën e Kombëtares Shqiptare. Ajo është dhe ëndrra ime, në të kundër, pse jo, do shoh mundësinë të eci përpara me kombëtaren greke”, përfundoi talenti librazhdas, pronë e akademisë së Panathinaikosit.

Lear Hyka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"