Talenti 20-vjeçar cërrikas është gati për një aventurë jashtë, “lumë” ofertash për Vokli Laroshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2022 | 9:30

Talenti 20-vjeçar cërrikas është gati për një aventurë jashtë, “lumë” ofertash për Vokli Laroshin

Portieri cërrikas, Vokli Laroshi, cilësohet si një ndër më të talentuarit në vendin tonë dhe jo më kot një sezon më parë Partizani e afroi në skuadër duke i bërë një kontratë 3- vjeçare. Mirëpo, mungesa e hapësirave te të kuqtë, bëri që lojtari dhe klubi të gjenin gjuhën e përbashkët për të ndërprerë bashkëpunimin me konsensus dhe tani 20- vjeçari është futbollist i lirë. Kontigjent i Shpresave dhe me një fizik për t’u admiruar, për ish-portierin e Turbinës në Kategorinë e Parë, kanë shfaqur interes shumë skuadra, duke nisur nga elita e futbollit shqiptar, Kategoria e Parë, por gjithashtu Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Vokli Laroshi Turbina

Para se të shkonte te të kuqtë e kryeqytetit, Laroshi ka milituar në radhët e Turbinës për dy sezone, duke qenë një titullar i padiskutueshëm, ndërsa ka mbajtur shiritin e kapitenit për këtë ekip, edhe pse në një moshë fare të re. Cërrikasi dha kontributin e tij për mbijetesën e ekipit në të Parën, me pritje vendimtare. Nga këto paraqitje, Laroshi fitoi besimin e teknikut të Shpresave, Alban Bushi, duke u grumbulluar me Kombëtaren. Ai aktualisht po stërvitet individualisht me një nga trajnerët e portierëve më të mirë në Shqipëri, Elvis Kotorri, teksa po gëzon një formë të mirë.

laroshi

OFERTAT VENDËSE

Duke qenë se Laroshi ka pasur kontratë me Partizanin, dëshira e disa ekipeve për ta afruar në skuadër ka kaluar në heshtje, për aq kohë sa ishte nën kontratë me një tjetër ekip. Mirëpo, së fundmi, me daljen e tij të lirë, “Panorama Sport” mëson se ndaj Laroshit kanë vërshuar kërkesa nga disa ekipe të Superiores dhe thuajse e gjithë Kategoria e Parë në bllok kanë kërkuar informacion mbi situatën e lojtarit. Burimet pohojnë se menaxheri i 20- vjeçarit është duke shqyrtuar me kujdes çdo ofertë në drejtim të tij, ndaj për momentin nuk i është dhënë fjala asnjë skuadre. Janë shumë klube në futbollin shqiptar, si në elitë edhe në të Parën që nuk e kanë zgjidhur ende përfundimisht çështjen e portës dhe për momentin preferenca kryesore është Laroshi. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e tij, ndërkohë që portieri, duke qenë në një formë të mirë, kërkon që të ketë të sigurt një vend titullari, ndaj edhe për momentin nuk po nxitohet.

OFERTAT NGA JASHTË

Për Laroshin ka pasur interesim edhe nga elita e futbollit kosovar dhe atij të Maqedonisë së Veriut, teksa aktualisht janë dy skuadra nga këto kampionate që kanë shfaqur gatishmërinë për të marrë shërbimet e tij. Edhe më herët, kur Laroshi firmosi për Partizanin, ka pasur interesim përtej kufijve, por 20-vjeçari vendosi që të vishte fanellën e të kuqve, duke sfumuar ofertat nga jashtë. Tani, duket se situata ka ndryshuar dhe ai po mendon seriozisht të nisë një aventurë jashtë. Në fakt, këto dy kampionate e intrigojnë gardianin, pasi shihet si një mundësi e mirë për të treguar vlerat e tij. Duket se kjo javë pritet të jetë intensive dhe do të shqyrtohet me kujdes çdo mundësi, me Laroshin që është në qendër të merkatos këtë sezon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"