Talentet në komandë, të rinjtë marrin “për dore” Interin. Konte do edhe freski

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 23:32

Talentet në komandë, të rinjtë marrin “për dore” Interin. Konte do edhe freski

Po ndiqet politika e talenteve dhe nuk është rastësi. “Receta jonë është një përzierje lojtarësh të afirmuar dhe talentesh të rinj”, u shpreh administratori i deleguar Xhuzepe Marota në fund të tetorit, duke folur për asamblenë e ortakëve. 

inter barela

Kjo është linja e shënuar nga familja Zhang, është ky objektivi i Interit të Kontes, i cili në fakt synonte te të rinjtë, duke menduar të sotmen, por edhe të nesërmen, duke konsideruar faktin që mesfushori i Parmës (në pronësi të Atalantës) Dejan Kulusevski është në krye të listës së blerjeve.

Ndërkohë, Konte mund të mbështetet te një paketë lojtarësh me karakteristika të forta, sepse Sebastiano Espozito është 17 vjeç, Alesandro Bastoni 20, Nikolo Barela dhe Lautaro Martinez 22, Valentino Lazaro 23, Stefano Sensi 24. Kundër Veronës, në ndeshjen e fundit përpara pauzës për kombëtaret, i vetmi mbi 11 vjeç mes titullarëve ishte kapiteni Handanoviç (i cili ndërkohë në 2020-ën mbush 36 vjeç) dhe mosha mesatare e 11-shes zikaltër në fushë nga minuta e parë ishte 25 vjeç e 360 ditë, e dyta më e re në këtë kampionat pas Bolonja-Inter i 2 nëntorit (25 vjeç e 266 ditë).

inter

Nën kuotën 26 – Distanca me Fiorentinën dhe Milanin, dy skuadrat më të reja në moshë (që kanë aktivizuar formacione me moshë mesatare 23 vjeç e 188 ditë dhe 23 vjeç e 193 ditë), është ende e dukshme, por për Interin zbritja nën kuotën 26 nuk është pak. Përpara këtij sezoni, Interi kishte aktivizuar një skuadër më të re në një ndeshje të Serisë A në gushtin e 2015-ës, kur Roberto Mançini sfidoi Atalantën me një 11-she prej 25 vitesh e 264 ditësh si moshë mesatare.

Ndërsa në 15 vitet e fundit, rekordi i lojtarëve që kanë ndjekur politikën e talenteve me Andrea Stramaçonin në stol: ishte 5 maji i 2013-ës dhe Interi sfidonte Napolin me një skuadër titullare me moshë 25 vjeç e 108 ditë. Tani, me Konten, skuadra po i afrohet rekordit të Stramaçonit. Dhe Interi, që ka një ekip me moshë mesatare 27 vjeç e 94 ditë, po mbështetet vërtet te të rinjtë. Përpara Handanoviçit, përkrah 24-vjeçarit Shkrinjar, një lojtar i vitlindjes 1999 po fiton terren: Alesandro Bastoni, gjithmonë i komplimentuar nga Konte që nga fillimi i fazës përgatitore, ka regjistruar që tani 6 prezenca, duke u shkëmbyer thuajse gjithmonë me Diego Godinin, ende jo në maksimumin e xhirove.

22a

Në mesfushë Barela dhe Sensi po rezultojnë gjithmonë e më vendimtarë: bota zikaltër nuk priste që të kishin menjëherë këtë impakt, por të dy po tregojnë se kanë dhunti prej kampionësh. Ish-lojtari i Sasuolos është futbollisti që Konte pret për sprintin final deri në Krishtlindje. Me dëmtimin e tij Interi ka humbur cilësi dhe ka hasur vështirësi në krijimin e rasteve-gol; rikthimi në formë, pse jo, për transfertën delikate në fushën e Slavia Pragës në Champions të mërkurën 27 nëntor, do të ishte diçka e rëndësishme.

Çfarë force sulmi – Në krahun e djathtë më në fund po vrapon edhe Lazaro: 23- vjeçari austriak kishte valixhen në dorë, më pas me Bolonjën dhe Veronën ka luajtur dy herë nga 85 minuta.

Okazione ka shfrytëzuar shumë edhe Lautaro Martinez, i cili është vetëm 22 vjeç, por tani ka marrë Interin për dore: 12 prezenca dhe 5 gola në Serinë A, 3 në po aq ndeshje Champions-i. Argjentinasi humbi mikun Ikardi, por përkrah tij po lulëzon Lukaku. Tani Konte pret edhe golin e parë të Sebastiano Espozitos. “Xhevahiri” zikaltër është rritur dhe deri në Krishtlindje do të jetë rezerva e vetme e dyshes titullare.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"