Takimet trepalëshe përfundojnë me sukses, tifozët e Partizanit fitojnë “betejën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2018 | 10:56

Takimet trepalëshe përfundojnë me sukses, tifozët e Partizanit fitojnë “betejën”

Pas dy muaj larg stadiumeve, Partizani pritet që të ketë mbështetjen e tifozëve të zjarrtë “Ultras Guerrils”, në ndeshjen e së hënës ndaj Kukësit, takim i cili do të luhet në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

guerrils

Së fundmi, janë zhvilluar disa takime trepalëshe, (polici, tifozë dhe klub) ku është gjetur dakordësia që ultrasit të jenë prezentë në stadium, në mbështetje të skuadrës.

Ultrasit e kuq e bojkotuan ardhjen në stadium, kryesisht në kryeqytet në ndeshjet brenda të Partizanit, për shkak të kushtit të vendosur nga Policia e Tiranës, e cila nuk lejonte tifozët të hynin pa shfaqur kartën e identitetit.

guerrils

Ultrasit e kuq nuk e pranuan këtë kusht dhe para ndeshjes me Laçin bënë thirrje që braktisja e tifozëve të jetë totale. Në këtë takim, ku të pranishëm ishin 400-500 vetë, drejtuesit e klubit e kuptuan se sa e rëndë- sishme është prania e tifozëve, pasi nëse ekipi do të kishte mbështetjen e tyre, mund t’ia kishin dalë për të marrë një rezultat më të mirë.

Ndaj, në ditët e fundit u intensifikuan bisedimet me policinë e kryeqytetit. Në takime kanë qenë prezent përfaqësues të klubit, përfaqësues të grupimit “Ultras Guerrils”, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë.

guerrils

Pas diskutimeve dhe modeleve të paraqitura nga palët, është plotësuar kushti i ultrasve, në mënyrë që të ruhet parimi i tyre i mosidentifikimit: “no name, no face”. Mes varianteve të diskutuara dhe shqyrtuara, ka qenë që hyrja pa karta në stadium, të ishte e vlefshme vetëm për grupimin ultras, ndërsa me të tjerët të vijohej proceduara.

Por, edhe kështu ata do të identifikoheshin, pasi duke mos paraqitur mjetin e identifikimit, pozicionoheshin direkt. Në përfundim të diskutimeve është gjetur gjuha e përbashkët, që hyrja e tifozëve në stadium, kryesisht në “Selman Stërmasi”, të jetë vetëm me biletën e ndeshjes.

Guerrils

Gjithsesi, të gjithë do të kontrollohen sipas rregullave për të evituar futjen e mjeteve të ndaluara në stadium, por nuk do të kërkohet karta e identitetit. Ndeshja me Kukësin shikohet si prova e së vërtetës së kësaj marrëveshjeje, ndonëse te tifozët ekziston skepticizmi, pasi mund të përballen në hyrje të stadiumit, me kërkesën për paraqitjen e mjetit të identifikimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"