Takim me Veliajn në Bashki, Tirana “mbush” xhepat pas fitimit të Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2017 | 10:18

Takim me Veliajn në Bashki, Tirana “mbush” xhepat pas fitimit të Kupës

Kupa më e trishtuar që kanë marrë në histori u ka mbushur “xhepat” bardhebluve. Drama e rënies nga kategoria, kur po afron 97- vjetori i krijimit të klubit, nuk është harruar edhe pas fitimit të trofeut, edhe pse u jep mundësi të luajnë në zonën “Euro”. Megjithatë, financiarisht lojtarëve nuk u ka dalë edhe aq keq.Tirana

Fill pasi është mbyllur finalja përballë Skënderbeut, futbollistëve u janë shpërndarë plot 50 mijë euro. Kjo shumë nuk është akorduar prej presidentit Refik Halili (i cili ka premtuar një tjetër premio), por prej Bashkisë së Tiranës.tirana kupa

Ka qenë vetë kryetari i këtij institucioni, që në fakt është zotërues i 34% të aksioneve në klubin e futbollit, i cili nuk i ka harruar bardheblutë, duke iu vendosur në dispozicion një premio realisht të majme. Ndryshe nga e shkuara, paratë janë shpërndarë menjëherë, ndërsa secili prej protagonistëve të ekipit më të titullar në vend ka marrë “hisen” e tij.

TAKIMI NË BASHKI

Erion Veliaj nuk e ka lënë me kaq. Kryebashkiaku i qytetit të Tiranës kishte organizuar edhe një pritje për kampionët më të rinj të Kupës së Shqipërisë, që në “Elbasan Arena” fituan trofeun e 16- të në histori.

Gjatë pasdites së djeshme, rreth orës 16:30 konkretisht, pjesa dërrmuese e bardhebluve (me mungesa të vogla, pasi disa prej lojtarëve, kryesisht “jabanxhinjtë”, kishin shkuar në shtëpitë e tyre), stafi teknik dhe drejtuesit janë paraqitur në zyrën e kreut të bashkisë.Veliaj

Burime pranë të pranishmëve konfirmojmë për “Panorama Sport” se numri një bashkisë i ka përgëzuar për suksesin e arritur, duke iu uruar njëherësh rikthim të shpejtë në mesin e më të mirëve. Rënia e Tiranës nga Kategoria është cilësuar si një humbje e madhe për futbollin shqiptar edhe prej Veliajt.

Një takim kortezie, i cili edhe pse nuk zgjati shumë në minutazh, ka shërbyer shumë, pasi për herë të dytë Bashkia Tiranë dëshmon se merr përsipër përgjegjësitë e veta si bashkaksionere.Tirana kupa

Kujtojmë që në muajin prill me vendim të Këshillit Bashkiak, ata akorduan 400 milionë lekë të vjetër në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, shumë kjo e cila shërben për borxhet e prapambetura. Megjithatë, këto parà ende nuk kanë kaluar në arkat e klubit, për shkak të llogarive të famshme bankare që janë të bllokuara.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"