Takim me klubin për planin e punimeve/ Infrastruktura tmerr, Duka zbarkon në… Lushnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2021 | 14:30

Takim me klubin për planin e punimeve/ Infrastruktura tmerr, Duka zbarkon në… Lushnjë

Vjen lajmi i madh për Lushnjën. U bënë vite që stërviten në kushte skandaloze dhe më në fund FSHF ka vendosur që të ndërhyjë. Një ditë më parë ka zbarkuar në selinë e klubit pikërisht presidenti Armand Duka.

roza haxhiu

Institucioni i futbollit ka vendosur që të ndërrojë tapetin e “Roza Haxhiut”, ndërsa në bashkëpunim me bashkinë do të ndërhyhet edhe në tri fushat që gjenden pranë stadiumit.

Gjatë takimit është diskutuar për infrastrukturën e dobët që kanë verdhejeshilët dhe 2022-shi do të ofrojë tjetër pamje dhe jo ato të një moçali.

FSHF – Pas 50 muajsh në përdorim, pritet të ndërrohet tapeti i stadiumit. Për gazetën “Panorama Sport” është inxhinieri i FSHF-së që shpjegon më shumë se si do të veprohet. “Fushës së stadiumit do t’i bëhet një proces pastrimi nga barërat, por edhe ai i shpimit dhe rehabilitimit të bazamentit.

PR

Duke qenë se ka kohë që nuk është vënë dorë, që nga tetori i 2017-ës, janë krijuar shtresa të ngurta. Do t’i bëhet një shtresë shumë e imët me rërë, e cila do të ushqejë farën e barit si dhe do të bëhet mbjellja me farë. Kjo do të fillojë pas përfundimit të fazës së parë”, u shpreh Erand Ibrahimi.

KLUBI – Për gazetën foli edhe sekretari i klubit të Lushnjës, Edison Koçi. Ai shpjegon se investimi do të jetë i përbashkët: “Do të kemi një investim të përbashkët, FSHF-bashki, për të tria fushat stërvitore që janë pranë stadiumit.

Do të hapet fusha e stadiumit pas përfundimit të fazës së parë. Do të rehabilitohet dhe do të vendoset tapeti i ri, që është një investim i FSHF-së. Për këto ne si klub falënderojmë federatën”.

EKIPI – Ekipi vijoi stërvitjen në kushte shumë të vështira edhe dje, sikundër duket edhe në foto. Pas 12 javësh kampionat, Lushnja ndodhet në zonën e rënies me 3 pikë më pak se zona e “play out”-it.

Këtë të shtunë të besuarit e Ilir Gjylës luajnë në shtëpi me Vorën. Një përballje e drejtpërdrejtë për mbijetesë. Verdhejeshilët kanë 6 javë që nuk fitojnë dhe tri pikët janë obligim për t’iu larguar rrezikut.

FUSHA

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"