Takim kokë më kokë me senatorët, ja dita e parë e Dedes te Tiana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2020 | 8:25

Takim kokë më kokë me senatorët, ja dita e parë e Dedes te Tiana

Dita e parë e Nevil Dedes ka qenë e rezervuar me takime të gjata. I mbërritur që në orën 14:00 në “Skënder Halili”, Dede priti të gjithë lojtarët në dhomat e zhveshjes, duke i takuar dhe u prezantuar me ta. Ama dita nuk mbaroi me kaq sepse rreth orës 14:45 mbërriti në kompleksin sportiv bardheblu presidenti Refik Halili i shoqëruar nga drejtori teknik Tefik Osmani. Së bashku me drejtorin e akademisë, Devi Muka, trajnerin e ri dhe skuadrën, Halili zhvilloi një mbledhje më shumë se 30- minutëshe.

NEVIL DEDE

Në prezantimin e Nevil Dedes, Halili kërkoi nga skuadra përkushtim dhe rezultate për të larë atë që ndodhi në Kupën e Shqipërisë. Më pas ka folur edhe trajneri Dede dhe të tjerë. Në fund të fjalëve radha i erdhi fushës së stërvitjes, ndërsa Halili dribloi me kujdes mediat e pranishme në “Skënder Halili”.

TAKIMET – Nevil Dede ditën e parë të punës në fushë e nisi me takime kokë më kokë e veç. Si fillim ishin veteranët ata që diskutuan me trajnerin Dede. Kapiteni Idriz Batha, Ilion Lika, Erjon Hoxhallari që kishte lënë kombëtaren, Agustin Torasa ishin disa nga lojtarët që diskutuan gjatë me trajnerin Dede. Kokë më kokë, secili foli disa minuta me njeriun e ri të stolit.

Një veprim i ngjashëm që bëri në aventurën e tij edhe Julian Ahmataj kur erdhi te Tirana. Dede diskutoi gjatë edhe me drejtorin teknik Tefik Osmani dhe trajnerin e përgatitjes fizike Kosta Jani. Gjatë gjithë një orë e dhjetë minutave, Dede më shumë vëzhgoi sesa drejtoi stërvitjen. Në fakt, e djeshmja ishte ditë riaftësimi pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë me Korabin. Dede foli edhe me lojtarë të tjerë si Toli, Malo apo ndonjë tjetër.

STËRVITJA – Seanca e djeshme u drejtua më së shumti nga trajneri Jani. Lojtarët u riaftësuan, ndërsa ata që nuk luajtën zhvilluan ushtrime fizike, mes tyre edhe Uinful Kobina. Lista e mungesave ishte shumë e gjatë, duke filluar nga Ismajlgeci, Musai, Muçi, Hoxhallari, Torasa, Kale, Çelhaka, Najdovski, Bekaj, Stafa, Gjumsi, Birçe.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"