Takim i fshehtë për të ardhmen e Apolonisë, pritet të vazhdojë projekti me të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2017 | 13:20

Takim i fshehtë për të ardhmen e Apolonisë, pritet të vazhdojë projekti me të rinjtë

Asnjë lëvizje në kampin fierak, edhe pse kaloi iku edhe një javë tjetër. Kjo, për shkak se pritet që drejtuesit e klubit të japin urdhrin për nisjen nga puna. Kjo ka bërë që ende të mos zyrtarizohet trajneri që do të drejtojë skuadrën në sezonin e ri. Ndërkohë që, për merkaton as mund të bëhet fjalë në këto kushte. Ende është një gjë e turbullt dhe nuk dihet se kur ekipi do të grumbullohet për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Apolonia

TAKIMI

Nga burime konfidenciale pranë klubit, bëhet e ditur se ditët e fundit ka pasur një takim mes presidentit të skuadrës, Koço Kokëdhima me drejtuesit e klubit dhe pjesë të stafit teknik. Por, që ende nuk kanë vendosur asgjë konkrete për sa i përket trajnerit dhe merkatos. Mësohet se është diskutuar për ekipin e kampionatit të ardhshëm, por që nuk ka pasur vendime të rëndësishme.

Megjithatë, ajo që thuhet nën zë duket se edhe në sezonin e ri, Apolonia do të ketë të njëjtën strategji të re duke afruar dhe aktivizuar lojtarë të rinj, madje më të vegjël edhe se 21 apo 22-vjeçarë. Heshtja e deritanishme e drejtuesve të klubit ka krijuar një atmosferë jotransparente, gjë e cila pritet të zbulohet vetëm me grumbullimin e skuadrës dhe fillimin e përgatitjeve të sezonit të ri.

SYNIMI

Megjithatë, duket se drejtuesit fierakë janë të kujdesshëm në punën e tyre. Ata duket se do të marrin përsipër së bashku me trajnerin që do të vendoset që të kenë një skuadër me element të rinj, por cilësorë duke nënshkruar me ta kontrata afatgjata, në mënyrë që të ndërtojnë një grup të konsoliduar dhe me lojtarë që të luajnë së bashku për disa vite.

Në këtë mënyrë, të realizojnë edhe objektivin që është ngjitja në Superiore. Drejtuesit fierakë janë të ndërgjegjshëm se caktimi i Tiranës në grupin e tyre do ta bëjë atë një “ferr” të vërtetë, pasi në atë ndodhen edhe ekipe me emër si Bylisi, Tomori apo Pogradeci, të etur për t’u ngjitur në elitë.

Gjithsesi, në Fier, edhe pse ditët ikën, vazhdon qetësia dhe ndoshta në ditët në vazhdim do të mësohen gjëra të reja e më konkrete lidhur me strategjinë, objektivat, merkaton apo vendosjen e trajnerit të ri. Fierakët dështuan një sezon më parë. Skuadra hyri në garë me synimin për të kapur Superioren, por përfundoi duke luftuar për t’i shpëtuar rënies në Kategorinë e Dytë.

Tashmë, do të shihet se çfarë do të ndodhë me ekipin e kampionatit të ardhshëm. Vendosja e Tiranës në Grupin e Jugut ka krijuar një lloj frike te skuadrat e tjera, pasi dihet potenciali që kanë bardheblutë.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"