Takaj ua kalon “topin” lojtarëve: Qejfi na e ka të fitojmë, por nuk është në dorën time

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2017 | 10:09

Takaj ua kalon “topin” lojtarëve: Qejfi na e ka të fitojmë, por nuk është në dorën time

Skënderbeu ka vijuar edhe dje përgatitjet me intensitetet të lartë për sfidën më të rëndësishme të kampionatit, e cila do të luhet nesër në “Zeqir Ymeri”. Ilir Daja e ka të qartë që detajet do të bëjnë diferencën në këtë duel, ndaj nuk na ngurruar që të mbajë një fjalim për lojtarët para se të nisë seanca në “Tropical”.

skenderbeu

“Duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë. Edhe kur kundërshtari ushtron presion, nuk duhet të mbrohemi, por duhet të mbledhim forcat dhe të reagojmë, duke ua kthyer me të njëjtën formë, pra me presion. Gjatë pjesës së parë me Tiranën nuk ishim në lartësinë e duhur dhe kjo nuk duhet të ndodhë me Kukësin, pasi në këtë mënyrë do të bënim vetëvrasje. Dua të jemi të përqendruar në të gjitha drejtimet, sepse kjo ndeshje do të vendoset edhe nga detajet më të vogla”, me këto fjalë u është drejtuar Daja lojtarëve.

Porositë e tij janë të shumta, ndërsa rëndësi të veçantë i dha anës taktike. Por meraku i vetëm është fusha sintetike që i pret në Kukës, ndërsa vetë trajneri dhe lojtarët e dinë që do ta kenë të vështirë. Por edhe këtë e kanë marrë si “sfidë”, ndaj do të mundohen që ta kalojnë. Daja mendon se të tijtë nuk janë mësuar të luajnë me terrene të tillë, ndaj nuk mund të shprehin dot më të mirën.

Megjithatë, prej të gjithëve pret sakrificën, pasi këto 90 minuta përcaktojnë shumë. Pas udhëzimeve të dhëna, trajneri i është futur edhe vetë punës. Zakonisht shkojnë lojtarët të marrin portat, por këtë herë ai u bashkua me ta për të dhënë një dorë. Skuadra u ushtrua për rreth 65 minuta, ndërsa në kampin korçar mbizotëronte një atmosferë optimiste dhe besimi në vetvete tek të gjithë lojtarët dhe stafi teknik e ai drejtues.

Të gjithë u panë të bashkuar, të qeshur dhe plot humor, jo vetëm te protagonistët në fushë, por edhe te presidenti. Ardian Takaj madje shkëmbeu herë pas here edhe batuta me gazetarët e pranishëm. “Qejfi na e ka të fitojmë, por këtë e kanë në dorë lojtarët”, tha ai në një moment, ndërsa qëndronte te pankina me puron karakteristike në dorë.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"