Takaj pranë Tomorit? Ja 3 arsyet pse presidenti duhet të marrë klubin beratas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2018 | 23:25

Takaj pranë Tomorit? Ja 3 arsyet pse presidenti duhet të marrë klubin beratas

Tomori është një prej klubeve që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Dhjetëra lojtarë me emër, shumë breza talentesh dhe një tifozëri shumë e zjarrtë dhe spektakolare. Gazeta rendit tri arsyet kryesore se pse Ardjan Takaj duhet të marrë Tomorin.

tomori

STADIUMI

Së pari, stadiumi. Një biznesmen që kërkon të investojë në një klub futbolli ka domosdoshmëri ngritjen edhe të një infrastrukture të mirë sportive dhe Beratit kjo pjesë nuk i mungon. Stadiumi “Tomori” është një ndër impiantet më të mëdha dhe më modern në vend. Kapaciteti i lartë prej rreth 12 mijë vendesh dhe ndërhyrjet e bëra në dy vitet e fundit, ku kërkohen shumë pak investime që ky të kthehet në një ndër stadiumet më të mira në vend dhe i aftë për të pritur edhe ndeshje ndërkombëtare. E vetmja ndërhyrje në këtë aspekt është ngritja e kompleksit stërvitor kryesisht për skuadrat e moshave që gjithashtu kanë arritje të rëndësishme në sezonet e fundit. Ndërkohë, tapeti i ri i vendosur këtë vit është artificial që jep mundësinë për një periudhë të caktuar të përdoret edhe për ndeshje gjithashtu edhe seancat stërvitore.

TIFOZËRIA

Së dyti, tifozëria. Një nga pikat e forta që Tomori ka pasur në gati 95 vitet e ekzistencës së tij, pavarësisht regjimeve dhe situatës ku Tomori ka qenë, tifozët nuk kanë munguar asnjëherë. Tifozëria e Tomorit edhe në periudhën e diktaturës ka zhvilluar transferta në numër të lartë tifozësh. Po ashtu edhe në vitet e fundit, edhe pse skuadra nuk ka qenë në nivele të larta, gjithmonë mbështetja nuk ka munguar. Madje, një investim serioz dhe luajtja për objektiva për të mëdha do të mbushte stadiumin në çdo sfidë, kjo edhe pse tifozët beratas e vuajnë faktin që skuadra e tyre ende nuk e ka një trofe të madh. Dhe nëse skuadra do luftonte për të, do nxiste tifozët ta ndiqni skuadrën, pse jo të nisnin organizimin e një tifo-grupi.

ZERO BORXHE

Së treti, mungesa e borxheve. Arsyeja kryesore që ka nxitur zërat për shitjen e klubit është edhe puna e mirë e bërë nga klubi në vitet e fundit duke zeruar borxhet e mbartura. Me borxhet zero dhe një buxhet të kënaqshëm nga bashkia çdo investitor do të gjente një ambient të duhur për të punuar. Aq më tepër që klubi tashmë e ka nisur procedurën për nxjerrjen e aksioneve në shitje.

E.Sylyku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"