Takaj konfirmon: Bernard Berisha, tek Anzhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2016 | 9:10

Takaj konfirmon: Bernard Berisha, tek Anzhi

Berisha-660x330Bernard Berisha do të transferohet në Rusi. Ashtu sikundër zbuloi “Panorama Sport”, tashmë është e konfirmuar se mesfushori do të luajë për Anzhin. Është ky destinacioni i ardhshëm i pejanit, pas aventurës të suksesshme te Skënderbeu.

Një lajm i tillë tashmë mund të quhet zyrtar, pasi është vetë presidenti Ardjan Takaj ai që zbulon të ardhmen e futbollistit që shkëlqeu me bardhekuqtë. Kreu i Skënderbeut nuk ka preferuar të zbardhë shumën e këtij transferimi dhe as kohëzgjatjen e kontratës, por ka pranuar se lojtari do të jetë pjesë e kampionatit rus në vazhdim. “Po, është e vërtetë, Bernard Berisha do të transferohet në Rusi, tek Anzhi. Por gjithçka mund të quhet e konfirmuar, vetëm pasi të kalojë testet mjekësore tek ekipi rus”, tha Ardjan Takaj për gazetën. Berisha do të jetë pjesë e skuadrës që me shumë bujë mori afro 2 vite më parë Samuel Etonë.

Përftimet dhe kontrata

Burime të sigurta pranë klubit korçar bëjnë me dije se mesfushori nga Peja pritet që të firmosë një kontratë dyvjeçare me ekipin rus. Megjithatë, më konkretisht detajet do të zbardhen vetëm pasi të kalojë edhe testet mjekësore. Sakaq, transferimi i tij nga Skënderbeu tek Anzhi mund të mbyllet me diçka më shumë se 600 mijë euro, që do të kalojnë në arkën e klubit. Kjo është shitja e dytë e bujshme e bardhekuqve për këtë sezon, pasi pak kohë më parë ishte Peter Olainka që kaloi te Genti në Belgjikë për shumën e 1.1 milionë eurove, ndërsa tani Berisha duket se ka mbyllur gjithçka për kalimin te rusët. Përveç Anzhit, edhe skuadra si Lokomotiva, Anderleht, Gent apo edhe Verona në Itali ishin si pista të mundshme për lojtarin, por duket se në “pole” për kartonin e mesfushorit janë pikërisht rusët. Sipas mediave ruse, drejtuesit e skuadrës janë duke afruar lojtarë, në mënyrë që të shpëtojnë këtë sezon, pasi pozicionohen në fund të tabelës. Pak ditë para mbylljes së vitit 2015, ishte presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili zyrtarizoi largimin e Berishës, por pa dhënë destinacion konkret, por tashmë nuk ka më dyshime: Anzhi do të jetë ekipi i ri i futbollistit.

LLAZO SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"