Takaj, ironi me kazakët e rivalët: Milionat s’të japin fitoren. Ne jemi të vetëm në Europë nga shqiptarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 9:27

Takaj, ironi me kazakët e rivalët: Milionat s’të japin fitoren. Ne jemi të vetëm në Europë nga shqiptarët

Edhe pse njihet për qetësinë e tij, pas golit të dytë të shënuar nga Plaku, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, nuk është përmbajtur dhe ka festuar si i çmendur.

takaj skenderbeu

“Ishim përgatitur mirë për këtë takim, nuk kishim pse të trembeshim, pasi u nisëm me një rezultat të mirë në fushë kundërshtare dhe e dinim që mund të bënim më shumë në fushën tonë. Skënderbeu ka luajtur në ndeshje europiane të këtij niveli, por edhe më shumë. Prandaj mund të them se kishim eksperiencën në krahun tonë, ajo që na ndihmoi shumë.

Nganjëherë nuk janë milionat ato që të bëjnë të fitosh, por zemra dhe shpirti luftarak, shpirt që lojtarët sot e vunë në fushë. Djemtë do t’i uroj nga i pari tek i fundit. Arritën atë objektiv që i vunë vetes që para se të niseshim në Kazakistan dhe bënë një ndeshje të shkëlqyer”, u shpreh presidenti i korçarëve.

RIVALI

Takaj flet edhe për ndeshjet e radhës ndaj Mladës duke premtuar përforcime. “Normalisht ndeshjet janë të vështira, pasi në të tilla kompeticione nuk ka takime të lehta. Jemi më të qetë dhe tepër të përqendruar për përforcime të tjera. I kemi gati dy goditje. Do të ketë ndryshime të vogla, pasi ekipi në pjesën më të madhe është gati.

skenderbeu

Mos prisni ndryshime të mëdha, por do të forcojmë ato reparte ku kemi nevojë. Të paktën 1 ose 2 maksimumi do të kemi shumë shpejt, por që grupi do të jetë në përgjithësi ky që ishte edhe sot (dje)”, vazhdoi presidenti.

LATIFI

Një nga emrat e lakuar për t’u larguar gjatë kësaj periudhe është edhe Liridon Latifi dhe ofertat nuk i kanë munguar. “Sa për Latifin, dua të konfirmoj që ai do të vazhdojë të qëndrojë në Europë deri në fund sa më larg të shkojmë ne. Ka oferta konkrete për këtë futbollist, por nuk mund t’i them emrat, pasi nuk është koha e duhur tani që po flas që të përmend emra.

latifi

Jemi dënuar në ndeshjet më të bukura të kampionatit shqiptar dhe sot treguam se jemi të vetëm në Europë nga ekipet shqiptare, sepse e meritojmë. Më vjen keq që nuk janë edhe të tjerat, pasi do doja që të ishim sa më shumë që të rritej koeficienti. Grupet e Europa League janë objektivi i mëtejshëm, pavarësisht se është e vështirë, pasi duhet të kalosh edhe dy ekipe të tjera që të shkosh deri atje.

E pashë një ditë më parë eliminimin e Kukësit dhe më erdhi vërtet keq. Ishin vërtet të pafat dhe e meritonin të ishin më tej, por ky është futbolli, kjo lojë që të dhuron emocione kaq të mëdha”, mbylli Takaj.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"