Takaj: Dinamo mund të na barazonte edhe më parë, në Elbasan vetëm për kualifikim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 9:35

Takaj: Dinamo mund të na barazonte edhe më parë, në Elbasan vetëm për kualifikim

Skënderbeu ishte shumë pranë një rezultati historik në ndeshjen e djeshme ndaj Dinamos së Zagrebit, pasi ka dominuar për më shumë se 50 minuta në shtëpinë e tij një prej ekipeve më të forta të Kroacisë. Por, një gol i shënuar në minutën e fundit shtesë ka hidhëruar jo pak, lojtarët dhe drejtuesit bardhekuq që kanë ndjekur nga afër këtë përballje.

takaj

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, menjëherë pas ndeshjes së djeshme, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, është shprehur: “Natyrisht që jam i hidhëruar, pasi ishim shumë pranë fitores dhe kemi pësuar një gol në minutën e fundit. Është e dyta herë që na ndodh të ndëshkohemi në fund, pas asaj ndeshjeje në Çeki. Jemi të mërzitur, por tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”, ka thënë Takaj, që ka rezerva edhe për pesë minutat shtesë që janë dhënë nga gjyqtari i katërt.

“Të them të drejtën ishin pak të ekzagjeruara pesë minuta shtesë, por duhet ta pranojmë se Dinamo mund të kishte shënuar edhe më parë golin e barazimit sepse po luante një lojë sulmuese. Por, në momentin kur u ndëshkuam, pothuajse kishte përfunduar gjithçka dhe për këtë ndiej keqardhje”, ka vazhduar numri një i skuadrës korçare.

OBJEKTIVI

Barazimi 1-1 në një ndeshje të tillë është më se i pranueshëm dhe shanset për kalimin e Skënderbeut në fazën e grupeve të Europa Ligës janë të mëdha. Ndeshja e kthimit do të luhet në “Elbasan Arena”, pas një jave dhe presidenti Takaj ka besim se skuadra e tij do të bëjë mrekullinë.

“Objektivi ynë i vetëm mbetet kualifikimi dhe këtë e theksoj me forcë edhe pse shanset janë 50 me 50. Ne luajmë futboll dhe në mes të Zagrebit kemi sulmuar dhe vënë në vështirësi kundërshtarin, madje ishim shumë pranë fitores. Kështu që në “Elbasan Arena” lojtarët e mi të jeni të bindur se do të bëjnë gjithçka për kualifikimin. Nuk ka asnjë objektiv tjetër përveç kualifikimit në turin tjetër dhe kam besim se do ta arrijmë”, ka përfunduar Takaj.

Në ndeshjen që do të luhet në Elbasan, pritet që të ketë një numër të madh tifozësh në përkrahje të Skënderbeut, ashtu siç ndodhi në takimin ndaj Mlada Boleslav. Korçarët janë të avantazhuar, pasi kanë arritur të shënojnë në fushën kundërshtare dhe një barazim pa gola i dërgon në fazën e grupeve. Pritet që gjatë javës klubi t’i bëjë thirrje tifozëve për mbështetje në këtë përballje.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"