Takaj dhe Salihi presin një dhuratë nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2016 | 10:04

Takaj dhe Salihi presin një dhuratë nga Tirana

Ardjan Takaj dhe Hamdi Salihi presin një dhuratë nga Tirana në derbin e kryeqytetit. salihiiiiDje, pas fitores ndaj Bylisit, presidenti dhe sulmuesi i Skënderbeut folën për “Panorama Sport” duke shprehur hapur faktin se do të bëjnë tifo në derbi për bardheblutë. Ata shpresojnë se Tirana do të ndalë Partizanin, duke ua bërë më të lehtë rrugën e titullit.

“Ishte një fitore e rëndësishme kjo ndaj Bylisit. Normalisht janë javët e fundit dhe fitoret janë shumë me vlerë për objektivat që kemi. Tani në këtë finish nuk duhet të gabojmë në asgjë. Mendoj se e zgjidhëm mirë këtë takim dhe jemi të kënaqur. Nuk ishte aspak një fitore e lehtë. Problemi është se këto ndeshjet e fundit ngarkohen shumë dhe e rëndësishme ishte që e zgjidhëm mirë. Fitorja e Partizanit kundër Tërbunit pritej normalisht. Humbëm ne kundër Tërbunit dhe për të tjerët u bë një mësim i vlefshëm”, ka thënë fillimisht Takaj për të kaluar më pas te kryendeshja mes Tiranës dhe Partizanit.

“Derbi do të jetë i fortë normalisht, pasi është një ndeshje e madhe. Nëse Tirana do të luajë sikundër bëri ndaj nesh, do të bëhet një ndeshje shumë e luftuar. Tirana duhet të luajë edhe për veten e vet, pasi ka si objektiv Europën. Është një ndeshje që për kryeqytetin mbetet shumë i rëndësishëm. Dy pikë nga Partizani nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Meqë e presim në shtëpi, jemi mjaft komodë. Nëse ruajmë këtë ecuri deri në fund të kampionatit, atëherë do të jetë mjaft mirë për ne. Në fillim kemi ndeshjen me Laçin dhe më pas do të mendojmë për takimet e tjera”, ka përfunduar kreu i klubit korçar. Hamdi Salihi Autori i 26 golave deri më tani ka qenë në humor të mirë pas takimit të djeshëm. Hamdi Salihi bëri një batutë edhe për sulmuesin e Partizanit, Xhevahir Sukaj, në lidhje me garën për “Këpucën e Artë”. Salihit i intereson më shumë titulli, ndërsa pret që Tirana të fitojë ndaj Partizanit.

“Nuk ishte absolutisht e thjeshtë fitorja ndaj Bylisit, sidomos në këtë fazë që ka ardhur kampionati. Janë të gjitha ndeshjet shumë të vështira dhe Bylisi ka një ekip shumë stabël, por mund të them që goli i dytë na qetësoi disi. Ky gol na dha sigurinë për të luajtur më lirshëm, për të administruar rezultatin dhe forcat, duke parë që edhe javët janë të ngjeshura. E dija që Bylisi do të ishte shumë i ngjeshur dhe u duk e nevojshme që të dilja më shumë prej zonës për të krijuar hapësira. Kundër pesë mbrojtësve ishte e vështirë dhe zgjodha t’i shpëtoj kështu mbulimit. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të jemi të përqendruar ndeshje pas ndeshjeje”, deklaroi Salihi, për të komentuar më pas derbin.

“Unë jam tifoz i Tiranës dhe të mos ishin situatat kështu, prapë do të bëja tifo për bardheblutë në derbi. Ne nuk e kemi pasur mendjen te Partizani dhe as do ta kemi mendjen tek ata të mërkurën. Me thënë të drejtën besoj se ndeshja direkte do të vendosë titullin kampion”.

Në fund, i pyetur për Sukajn që shënoi tre gola dhe sa ia rrezikon kreun e golashënuesve, sulmuesi e mbylli me një batutë: “Më bëhet qejfi, bravo i qoftë! Sukaj është pika e fortë e Partizanit, i uroj suksese! ‘Këpuca e Artë’? Nëse fitojmë kampionatin, ia fal këpucën Sukajt”.

Përgatiti: LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"