Takaj “bllokon” Jashanicën për klubet shqiptare, mbrojtësi i lirë vetëm për ekipin e njohur të Kosovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 12:34

Takaj “bllokon” Jashanicën për klubet shqiptare, mbrojtësi i lirë vetëm për ekipin e njohur të Kosovës

Eksodi në këtë sezon në radhët e Skënderbeut ka qenë i gjerë dhe preku pjesët më të rëndësishme të ekipit. Korçarët, pas largimeve të shumta me parametër zero, janë pranë përfitimit të rëndësishëm financiar nga dy prej lojtarëve që presin transferimin jashtë vendit. Por e paqartë veç këtyre largimeve mbetet e ardhmja e Bajram Jashanicës. Mbrojtësi kosovar i Skënderbeut duket se pas shumë sezonesh si protagonist me korçarët do t’u thotë lamtumirë ngjyrave bardhekuqe.
jashanicaa
Ai po shikon mundësinë për një aventurë të re dhe si e tillë nuk përjashtohet një rikthim në vendlindje. Pavarësisht interesimeve të vazhdueshme nga ana e Partizanit, duket se Jashanica më shpejt mund të jetë lojtar i Prishtinës sesa i të kuqve. Kjo edhe për shkak të një faktori shumë të rëndësishëm që e mban të lidhur me Skënderbeun: kontrata. Mbrojtësi kosovar ka një kontratë të vlefshme me Skënderbeun dhe normalisht duhet që korçarët të japin dritën jeshile për transferimin.

Gjithçka është e varur nga përgjigjja që do të vijë për klubin e menaxhuar nga Ardjan Takaj. Burime të gazetës bëjnë me dije se presidenti ka kërkuar nga Jashanica durim deri në fund të muajit kur pritet që të vijë edhe vendimi nga Gjykata Federale. Nëse vendimi do të jetë pozitiv dhe në favor të Skënderbeut, atëherë bashkëpunimi i Jashanicës me klubin do të vijojë aktiv dhe jo vetëm kaq: Jashanica do të jetë me shumë mundësi qendra mbi të cilën do të ndërtohet ekipi i Skënderbeut në vijim.

Në rast se korçarët do të përballen me një vendim negativ, atëherë është planifikuar një takim mes Takajt dhe Jashanicës për të mbyllur me konsensus kontratën në mënyrë që Jashanica të vijojë karrierën te Prishtina. Në të kundërt, për çdo ekip tjetër të interesuar, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë, Takaj do të kërkojë blerjen e kartonit të lojtarit me vlerën e caktuar nga klubi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"