Takaj: Ata që stisën trukimet do të dalin shumë shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2016 | 10:46

Takaj: Ata që stisën trukimet do të dalin shumë shpejt

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka qenë para gazetarëve në një nga televizionet lokale në Korçë, ku u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me gjithçka që ka ndodhur dhe po ndodh te skuadra e Skënderbeut.

Takaj ne tribune

President, sa i kënaqur jeni nga ky Skënderbe?

Nuk do të isha sot në Korçë nëse do të isha i kënaqur dhe normalisht kjo kuptohet. Sidomos pasi vjen pas gjashtë vitesh të suksesshme dhe përfundon në një situatë të tillë ia vlen të bësh alarm, pasi ne kërkojmë një Skënderbe të madh ndaj pritshmëritë janë të mëdha. Prandaj bëmë një mbledhje, pasi edhe ekipi nuk ishte i impenjuar në maksimum.

Të gjithë në Korçë ishin kundër Agostinelit, ju e konfirmuat. Përse kjo zgjedhje?

Trajnerët jo vetëm këtu, por edhe në ekipet e mëdha europiane duan kohën e vet. Normalisht që edhe Agostineli kishte nevojë për kohë, aq më tepër kur Skënderbeu, para një sezoni, ka qenë një ekip i paarritshëm, prandaj edhe largimet kanë bërë punën e tyre.

Edhe lojtarët kishin nevojë për shkundje?

Normalisht që po, kushdo qoftë çdo lojtar pas katër ndeshjesh pa fitore vihet disi në pozitë, e kap paniku i themi ne dhe për këtë ka nevojë për një shkundje nga ana e drejtuesve. Por, ajo që më ka shtyrë të besoj në një pasiguri ishin gabimet e shumta që bëri ekipi në këto takime.

Skënderbeu duket se ka ndryshuar mentalitet loje. Mos ndoshta kemi një ekip me shumë mbrojtës?

Këtë nuk mund ta them, pasi që, në momentin e parë kur Agostineli erdhi në Korçë, iu kërkua dhe ju bë e ditur që Skënderbeu është një ekip sulmues dhe këtu e duan të gjithë. Një Skënderbe mbrojtës nuk shkon. Ne ia kemi bërë të ditur trajnerit këto gjëra, por edhe sulmuesit që kemi, janë disi jashtë forme dhe duan kohë të përshtaten me ndryshimet e shumta që janë bërë.

Si mund ta quajmë këtë lëvizje të Takajt?

Nuk është se kam shkopin magjik. Bëmë këtë takim dhe të gjithë e panë gjendjen e tyre se ku janë dhe gabimet që kanë bërë i kanë pranuar. Tani pres kthesën, pasi ma premtuan të gjithë njëzëri. Ndoshta ekipi është në momentin e vet dhe do të ndryshojë shpejt, ose do të kemi ndryshime në merkaton e janarit.

Salihi

Salihi po vuan shumë, pasi nuk po gjen golin. Pse po vjen kjo gjendje?

Salihi është një lojtar goli dhe një lojtar zone. Normalisht nëse ti nuk e furnizon si duhet, edhe ai nuk ka sesi të shënojë. Problemi qëndron se ky Skënderbe nuk po funksionon si duhet dhe për disa arsye që ju i keni përmendur.

U duk se kambanat e alarmit ranë në ndeshjen kundër Flamurtarit…

Po, e vërtetë, ne në Vlorë kemi zhvilluar ndeshjen më të dobët të kampionatit dhe duhet të merrnim një vendim për vetë faktin se vinim nga katër takimeve pa fitore. Por, duke parë lojën mund të them se Skënderbeu nuk u mund taktikisht nga kundërshtari, por nga mosimpenjimi i ekipit. Ne pësuam dy gola amatoreskë. Prandaj trajnerit nuk kishim çfarë t’i kërkonim. Kundër Flamurtarit pamë një ekip të padisiplinuar dhe që nuk reagoi.

Përse e konfirmuat Agostinelin?

Që të ndryshosh trajner është shumë e thjeshtë, por risku është i madh. Ne kishim në dorë ta ndryshonim dhe të merrnim një tjetër, por ai trajner që do të vinte mund të dështonte në dy ndeshjet e para dhe të kërkonte kohë, por nuk kemi kohë për të pritur.

Keni menduar shumë për faktin se duhej ta largonit teknikun italian?

Të gjitha opsionet janë menduar, nuk është se janë sekrete të mëdha. Por unë u mundova të mos isha emocional. Ky ishte vlerësimi më i drejtë i mundshëm, shpresojmë që të mos kemi gabuar.

Flitet se ka krisje dhe mes lojtarëve. Sa e vërtetë është kjo?

Kjo është e pavërteta më e madhe që mund të thuhet për Skënderbeun. Për aq sa di unë si president, është gjëja më e pavërtetë. Duket shpeshherë sikur ka krisje, pasi, në momente krize, askush nuk është i qetë dhe këto keqinterpretohen më pas.

shkembi josa

A i mungon këtij ekipi një kapiten si Shkëmbi jo për lojën, por për “britmën” në fushë?

Ne atje kemi më shumë se duhet nga këta lojtarë. Në sulm kemi Salihin që është një figurë e madhe. Në mesfushë kemi Lilajn në mbrojtje, Osmani dhe Radas me Vangjelin dhe në portë Shehin. Por, në një moment kur nuk jemi në formën tonë më të mirë, është e vështirë të ngresh zërin.

A ju duket sikur këtë sezon i keni të gjithë kundër?

Ne për këtë jemi të ndërgjegjshëm që të gjitha ekipet janë kundër. Kjo sepse të gjitha ekipet japin maksimumin e tyre, madje edhe më shumë. Edhe kur këto ekipe kanë probleme, jo rrogat apo gjëra të tjera, si Flamurtari mes problemeve erdhi na mundi dhe kaq. Është kosto që do ta vuajmë gjatë gjithë kohës, pasi një emër i madh i ka këto kosto.

Jeni penduar për faktin që keni larguar Mirel Josën?

Mirelin nuk e kam larguar si një njeri të paaftë, por ai ka dhënë kontributin maksimal. Katër vjet, katër tituj dhe vjen një moment që ekipi ka nevojë për një ndryshim tjetër. Kjo është arsyeja e këtij ndryshimi. Josa ka ikur si një nga trajnerët më të aftë që kemi pasur dhe, pas katër titujve kampionë, duke i dhënë gjithçka ekipit.

Sa profile trajnerësh keni analizuar këto ditë?

Skënderbeu tani është një ekip i madh dhe shumë i lakmuar nga shumë trajnerë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Këto ditë unë jam habitur, kur shikoja trajnerë me emra shumë të mëdhenj që janë edhe me ekip për momentin dhe ishin gati të linin punën e tyre dhe të merrnin Skënderbeun. Kërkesa ka pasur nga Italia, Spanja, Kroacia, Norvegjia nga teknikë që ishin gati të prishnin kontratën. Të drejtosh një ekip kampion është luks i madh për të gjithë. Por, në fund, kemi vendosur të mbajmë Agostinelin.

A keni vënë re presione menaxherësh mbi trajnerin e Skënderbeut?

Fjalë ka shumë, por të jeni të bindur se askush nuk e ka shansin ta bëjë këtë gjë. Asnjë njeri nuk ka të drejtë të flasë me Agostinelin. I vetmi që flas me të jam unë. Askush nuk mund t’i ndërhyjë atij apo t’i kërkojë aktivizim lojtarësh apo diçka tjetër.

Latifi

Sa e ka penalizuar Latifin mostransferimi në merkato?

Normalisht që ndikon, pasi për të flitej për emra të nivelit të lartë europian. Ai është një lojtar me ambicie dhe mund të them se mua më pëlqejnë të tillë futbollistë. Momentalisht është i fokusuar te kampionati dhe transferimi i tij do të bëhet në momentin e duhur.

Pas këtij momenti, sa besoni te titulli?

Pavarësisht krizës, nuk është se ne jemi në një moment të keq, jemi në një pozicion komod dhe unë e them me bindje se do të jemi ne sërish kampionë.

Në ndeshjen kundër Partizanit ishit i rrethuar nga politikanë që mbështesin kundërshtarin…

Unë e vlerësoj futbollin si futboll dhe se kush është nga politika nuk më intereson shumë. Ne kërkojmë në fushë çdo gjë. Ne takimet nuk na i humbet politika. E rëndësishme është që këta njerëz të mos ndërhyjnë te futbolli dhe le ta bëjnë tifozin pasi nuk na prish punë.

Përfundimisht, puna e trukimeve është mbyllur…

Si e bënë dhe kush e bëri këtë gjë do të dalë shumë shpejt dhe koha do t’i tregojë. Këtu është një vend i vogël dhe gjithçka do të dalë në dritë se kush e stisi diçka të tillë në dëm të Skënderbeut.

skenderbeu champions

Sa i ka munguar Europa Skënderbeut?

Ka një dëm financiar që është shumë i madh dhe një hap pas i Skënderbeut, pasi do të kishim një tjetër hap dhe një tjetër vrull. Është një goditje shumë e madhe mediatike, pasi për tre muaj mediat çfarë nuk kanë thënë për ekipin. Është një diçka që ndikon edhe në ekip dhe te lojtarët, pasi ata kanë djersitur për këtë klub dhe dëgjon lloj-lloj zërash që flasin.

Janë meritat e lojtarëve që ata kanë kaluar shumë ndeshje të vështira dhe askush nuk i ka falur Skënderbeut diçka edhe në këtë kampionat. Skënderbeu i ka mundur të gjithë në fushën e lojës. Më thoni një që i ka falur këtij Skënderbeu, askush. Skënderbeu ka pasur zemrën e madhe për hir të garës, por askujt nuk ia ka shtrirë dorën.

Si ka qenë për Takajn pjesëmarrja në në turin eliminator të Ligës së Kampioneve?

Himni i Champions-it në “Elbasan Arena” është arritje shumë e madhe, pasi kurrë nuk ishte dëgjuar në ambientet e futbollit shqiptar. Të kesh ekipin në stadium kur këndohet ai himn është arritje shumë e madhe. Ne jemi i vetmi ekip shqiptar që e ka pasur stemën e Champions Ligës në fanellë. Ishte një moment shumë i rëndë- sishëm, një çast që nuk përsëritet shpesh. Pashë një stadium të mbushur plot që vetëm Kombëtarja e ka arritur ta mbushë.

Akademia duket disi në mëshirë të fatit me ata djem që tashmë nuk kanë as se ku të zhvishen…

Është e vërtetë. Ne do të përpiqemi që fillimisht të mundësojmë kushte të mira, momentale për lojtarët e grupmoshave në pritje të projektit model që tashmë ka nisur të bëhet. Do të mundohemi që t’u ofrojmë të njëjtat kushte në të ardhmen, ashtu si i kanë lojtarët e mëdhenj. Ne nuk do të marrim trajnerë sa për të krijuar vende pune, por trajnerë që janë të aftë për të prodhuar lojtarë, pasi në mos gaboj, Osmani ka qenë lojtari i fundit që ka dalë nga Skënderbeu. Ky është një mëkat për Korçën.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"