Taho: Jemi për titull, Bushiç dhe Alvesh të marrin përgjegjësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 23:48

Taho: Jemi për titull, Bushiç dhe Alvesh të marrin përgjegjësi

Rapo Taho shikon një Flamurtar pretendent për titull këtë sezon. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i shquar analizon vlonjatët. Pritja e gjatë për të fituar një kampionat ka bërë që edhe 59-vjeçari të evidentojë se ka ardhur koha për të shmangur zhgënjimet.

maxresdefault (1)

Ish-mbrojtësi i viteve ’80 ka edhe një porosi për sulmuesit. Ai kërkon që Bushiç dhe Alvesh të mbajnë më shumë përgjegjësi dhe të ndiejnë peshën e fanellës. Taho këshillon Ilir Dajën të përqendrohet te loja karakteristike vlonjate me presing dhe sulm të shpejtë për të arritur suksesin.

Taho, si e shikoni Flamurtarin e këtij sezoni tani që është mbyllur edhe merkato?

Nuk po shikojmë Flamurtarin e duhur për momentin. Por, duhet kuptuar fakti që trajneri Daja nuk ka pasur shumë kohë në dispozicion, pasi fazën përgatitore nuk e bëri me grupin e plotë. Me kompletimin e organikës, mendoj se janë në rrugën e duhur. Pavarësisht mangësive që ka pasur Daja në ekip, pas tri ndeshjesh shoh një ekip që sheh më shumë në sulm. Shpresojmë shumë në të ardhmen edhe prej Alveshit, pasi na ka mungua “lojtarigol”. Shumë futbollistë shoh që në momente të caktuara nuk bëjnë lojën kolektive, por mundohen që ta zgjidhin në mënyrë individuale. Megjithatë, këto dobësi mendoj se do të rregullohen me kalimin e kohës.

Si e vlerësoni merkaton, a kishte nevojë Flamurtari për të tjera afrime?

Merkato është bërë shumë e fuqishme. Janë të plotë si grup. Edhe presidenti Idrizi i ka lënë dorë të lirë trajnerit. Përzgjedhja është për t’u pëlqyer. Tani duhet dora e trajnerit të bëjë më të mirën.

A ka ardhur koha që skuadra të pretendojë seriozisht titullin?

Po, patjetër që ka ardhur koha. Flamurtari duhet që të pretendojë, pasi kemi kaluar shumë vite pa titull. Kemi dështuar dhe nuk duhet të na ndodhë më si vitet e tjera. Unë te trajneri Daja kam shumë besim edhe me këto afrime që ka bërë. Shpresojmë se do të vijmë te loja jonë dhe këtë vit do të kapim diçka më tepër nga vitet e kaluara.

Këtë sezon duket sikur nuk ka ekipe që bëjnë diferencën mbi të tjerët. Mendoni kështu edhe ju?

Po, kjo është e drejtë. Në këto tri javë kam parë që të gjitha ekipet kanë qenë të barabarta, asnjë nuk bën diferencën. Kështu që të gjithë kanë pretendimet e veta, por edhe ne kemi objektivat tona. Nuk duhet të flasim ende për ekipe pretendente me emra. Nuk kemi garancinë e plotë. Diskutohen Partizani, Skënderbeu, Tirana, Flamurtari, por që ekipet janë të një niveli. Është shpejt ta përcaktosh ekipin kampion.

Sa i bindur jeni për një Flamurtar pretendent këtë sezon?

Na ka munguar goli, siç e thashë më lartë. Kemi shkuar shumë para portës, por nuk kemi shënuar dot. Koha jo e plotë në dispozicion e Dajës ka ndikuar në finalizim. Por me ardhjen e Alveshit, apo ndonjë tjetri, do rregullohet. Kam një bindje të plotë që ekipi është shumë i kompletuar sivjet dhe nuk duhet të dështojmë siç kemi bërë vitet e tjera.

Çfarë i këshilloni Flamurtarit dhe stafit teknik?

Dajës i uroj suksese. Ekipi do të bëjë detyrën e tij dhe trajneri do të japë direktivat e veta. Nuk e di gjendjen aktuale të lojtarëve që kanë ardhur tani, pasi siç e thashë, ekipi nuk e ka bërë fazën përgatitore të plotë. Për këtë javë do të themi që kanë ardhur lojtarë dhe ekipi është kompletuar. Do të sugjeroja që dështimet e viteve të kaluara të mos përsëriten më këtë vit.

Cilët lojtarë duhet që të mbajnë më shumë përgjegjësi?

Lojtarët aktualë që janë duhet të ndiejnë më shumë përgjegjësinë e atyre viteve që kemi dështuar. Bushiç si kapiten apo Alvesh që u kthye sërish, duhet të marrim më shumë përsipër dhe ta ndiejnë më shumë përgjegjësinë e fanellës. Nuk ka rëndësi nëse është brazilian, italian, francez, maqedonas apo kosovar, kush e vesh këtë fanellë duhet të ndihet vlonjat, pasi po përfaqësojnë Flamurtarin. Trajneri Daja e ka idenë e plotë për Flamurtarin, por edhe neve na ka dëgjuar, kështu që po arrin te loja e Flamurtarit. Ka akoma dobësi ose mundësi për të bërë, por ka kohë në dispozicion. Kot nuk thonë, fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe ne kemi nisur mirë.

Këtë javë luhet me Skënderbeun. Si e shikoni këtë ndeshje?

Kemi një Skënderbe para dhe natyrisht që të gjithë janë të angazhuar. Është një ndeshje që duhet të cilësohet si finale dhe duam që të tregojmë edhe lojën tonë të Flamurtarit. Unë kam bindjen e plotë se është e garantuar që do ta fitojmë këtë ndeshje. Duhet të jenë të angazhuar të gjithë dhe të bëjnë detyrën që u ka dhënë trajneri.

Shpesh keni përmendur se Flamurtari nuk po bën lojë vlonjate. Cilat janë karakteristikat e kësaj loje?

Daja e di shumë mirë lojën vlonjate, me sulmin e shpejtë. Do t’i bëja një sugjerim nga ana ime, ne gjithnjë kemi aplikuar presingun. Ka qenë karakteristikë tradicionale e jona. Në çdo ndeshje që ne kemi luajtur në kohën tonë, të pakta ishin rastet kur kishim presing të pjesshëm, por brenda 15 minutash kemi nxjerrë golin. Pra, e kemi vendosur në presion ekipin kundërshtar. Këtë duhet të bëjë Daja që në ndeshjen me Skënderbeun, pasi takimi luhet në Vlorë, janë edhe shumë faktorë që ndikojnë në këtë fushë. I uroj Flamurtarit që këtë vit të mos na zhgënjejë sepse Idrizi ka lenë dorë të lirë. Ai u ka dhënë “çekun e bardhë” dhe Daja duhet të jetë gjithë kohës i besueshëm për presidentin.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"